Telegrafi

Përmes një aksioni të përbashkët, Kosova dhe Shqipëria riatdhesojnë disa shtetas nga Siria

Kosova dhe Shqipëria përmes një aksioni të përbashkët kanë riatdhesuar disa qytetarë nga kampet në Siri.

Xhelal Sveçla, ministër i Punëve të Brendshme të Kosovës nga Aeroporti i Prishtinës tha se është jashtëzakonisht i kënaqur që operacion i përbashkët me Shqipërinë përfundoi me sukses.

“Nuk është aksioni i parë, besoj se nuk do të jetë as i fundit ku bashkërisht do të mundohemi t’i kthejmë bashkëkombësit tanë. Ekipet tona të profileve të ndryshme kanë shumë punë, që këta individë të rehabilitohen e ata që janë  të ndikuar të de-redikalizohen në mënyrë që të bëhen pjesë e shoqërisë sonë, e posaçërisht fëmijët të cilët me asnjë rast nuk janë fajtorë për situatën në të cilën ndodhen”, tha ministri.

Ministri i Punëve të Brendshme tha më tej se janë të bindur që institucionet do të bëjnë maksimumin që rehabilitimi të ndodhë sa më shpejt dhe integrimi në shoqëri të ndodh suksesshëm.

“Ti afrohemi fundit të një episodi vërtet të dhimbshëm të shoqërive tona…”, tha ai, megjithëse nuk tregoi numrin e shtetasve të Kosovës që janë riatdhesuar.

Lidhur me aksionin, ka folur edhe ministri i Punëve të Brendshme të Shqipërisë, Bledi Çuçi.

“Ka përfunduar një operacion i rëndësishëm për riatdhesimin e 13 shtetasve të Shqipërisë dhe disa shtetasve të Kosovës”, tha ministri.

Ai bëri të ditur se për Shqipërinë ky është operacioni i katërt dhe gjithsej bëhen 43 persona që i kanë kthyer nga kampet famëkeqe të Sirisë.

“Dua të falënderoj partnerët strategjikë, SHBA-të me të cilët koordinuam në mënyrë perfekte çdo detaj të këtij operacioni. Mbetemi të vendosur për t’i kthyer nga kampet çdo shqiptar, çdo fëmijë e grua që kanë mbetur atje”, tha ai. /Telegrafi/