Telegrafi

Përmendën spastrimin etnik të ’99-ës në Kosovë dhe Serbinë dorë e Rusisë, Vuçiq i reagon Bidenit dhe Clarkut

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka komentuar deklaratën e gjeneralit amerikan Wesley Clark, i cili tha se Vuçiq dëshiron veriun e Kosovës dhe ndarjen e Bosnjës për të krijuar “Serbinë e Madhe”, por edhe deklaratën e presidentit amerikan Joseph Biden se bombardimi i NATO-s në vitin 1999 ishte në fakt një ndërhyrje që synonte parandalimin e spastrimit etnik.

Vuçiq duke iu përgjigjur deklaratave të Biden edhe Clark, siç raportojnë mediat serbe, ka thënë se “e imja është t’u them që nuk prekim askënd, por nuk do të jemi më pre e dikujt”.

“Nëse do të ishte ideja ime për të bërë Serbinë e Madhe, këtë do të thosha. Ata shërbehen me të pavërteta dhe kjo tregon se janë të pafuqishëm në urrejtjen e tyre. Ai tha gjithashtu se ne jemi peng i Rusisë në Ballkan. Mesazhi im për Clarkun është se ne nuk jemi peng i askujt, as të Rusisë as të Amerikës”, tha Vuçiq, ndërsa për deklaratën e Biden tha se ky ishte qëndrimi zyrtar i Perëndimit, transmeton Telegrafi.

“Nëse atëherë parandaluat spastrimin etnik duke ‘sulmuar’ një komb të vogël, pse nuk reagoni kur Rusia hyn në territorin e një shteti të pavarur… Kur Rusia pushton territorin e Ukrainës, është agresion, dhe kur ju ndërhyni, nuk është agresion, por shpëtim”, tha presidenti serb.

Ndryshe, gjenerali i pensionuar amerikan, Wesley Clark, të martën akuzoi Serbinë se i shërben interesave të Rusisë, shtet që ka nisur pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës fqinje mbi dy vjet më parë.

Lexo po ashtu Gjenerali amerikan: Serbia dëshiron veriun e Kosovës dhe ta ndajë Bosnjën për të krijuar “Serbinë e Madhe"

Clark – që ka udhëhequr fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe më 1999, që çoi në çlirimin e Kosovës – tha se Serbia dëshiron të marrë pjesën veriore të Kosovës dhe ta ndajë Bosnjë e Hercegovinën, për të krijuar “Serbinë e Madhe”.

“Dora e Rusisë ndihet në Ballkan. Serbia është krahu i Rusisë në Ballkan. Serbia u shërben interesave të Rusisë. Presidenti [serb, Aleksandar] Vuçiq është i mençur. Ai tenton të duket se po luan me dy porta, por kur të vijë momenti, ai do të bëjë çfarë i kërkon Putini. Dhe çfarë ai do nga Putini, sigurisht është autoriteti për të përdorur trupat e tij në Kosovë, të paktën të marrë gjysmën e pjesës veriore të Kosovës dhe ndoshta më shumë. Njëkohësisht, duan ta ndajnë Bosnjën, ta marrin Republikën Srpska dhe ta bëjnë ‘Serbinë e Madhe’. E gjithë kjo ka të bëjë me spastrim etnik në Ballkan”, tha Clark në CNN.

Ndërsa, në 75 vjetorin e NATO-s, presidenti amerikan, Joe Biden iu drejtua udhëheqësve të vendeve të NATO-s gjatë një fjalimi në Washington, ku foli për unitetin e aleancës kundër agresionit rus në Ukrainë.

Biden, në 75 vjetorin e themelimit të kësaj organizate ushtarake, tha se NATO është aleanca më e madhe e më efektive në historinë e botës.

Jo shumë larg pasi nisi fjalën e tij, Biden përmendi intervenimin në Ballkan për ta ndalur spastrimin etnik.

“Kur shpërtheu lufta në Ballkan, ne ndërhymë për ta rivendosur paqen dhe për ta ndalur spastrimin etnik”, tha Biden para Sekretarit të Përgjithshëm, liderëve të vendeve të NATO-s, ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes, përfaqësuesve nga vendet partnere e të Bashkimit Evropian dhe anëtarëve të Kongresit në Samitin e NATO-s. /Telegrafi/