Në zonat e përmbytura dy ditë pas reshjeve që futën nën ujë Laçin dhe Milotin, banorët tregojnë si shpëtuan nga jeta fëmijët e tyre dhe kushtet e rënduara, ku duhet tashmë të ngrysin netët dhe akuzojnë autoritetet lokale e vendore si shkaktarë dhe për braktisjen.
Në shtëpinë e Alban Tafës, një ditë pasi shirat e rrëmbyer përmbytën Milotin, nuk jetohet dot më, por sërish aty duhet të ngrysin netët 11 vetë, mes të cilëve 5 fëmijë.
Bashkëshortja e Albanit na tregon sesi arriti të shpëtonte më të vegjlit nga përmbytja.
“I morëm në krah dhe i nxorrëm në anën tjetër”, thotë ajo.
“Nuk ka ngel asgjë më në këtë shpi, televizion plazmë i ka ngritur uji, Deri këtu ka qenë niveli i ujit, deri tek perdja. Shpejtësia e ujit ka ngritur derën, raftet e rrobave dhe rryma këtu ka marrë lavatriçen e rrobave. S’kemi ç’të hamë”, thotë Alban Tafa.
Bashkëshortja e tij, Dallëndyshe Tafa nuk e fsheh dëshpërimin kur thotë se deri më tani askush nuk ka shkuar t’u japë ndihmë.
“Boll kam pritur. Kemi 48 orë në ujë. Kam për të bllokuar autostradën bashkë me fëmijët”, thotë ajo.
Përmbytjet e një dite më parë shkaktuan dëme edhe në familjen Lleshi ku jetojnë 8 pjesëtarë.
“Niveli ujit ja ku ka shkuar, dhoma e fëmijëve. Asgjë s’ka shpëtuar, vetëm fëmijët dhe tani i kam në rrugë të madhe”, deklaroi Marie Lleshi, banore e Milotit.
Banorët akuzojnë autoritetet për neglizhencë në pastrimin e kanalizimeve.
“Po pastroja tubacionet kur pashë se uji po dilte nga autostrada, për 20 minuta është përmbyt gjithçka. Ajo që dua tani është një shtëpi të fus fëmijët brenda”, shprehet Fatjon Lleshi, banor i Milotit.
Por kreu i Bordit të Kullimit të Lezhës thotë se intensiteti i shiut të rënë mbrëmjen e së hënës nuk është parë në 20 vite.
“Nga prurjet e mëdha të ujërave nga malet, por edhe të inerteve, grykëderdhjet e përrenjve janë bllokuar dhe uji ka dalë në qytete. Kemi pastruar kanalet, por përsa kohë nuk investojmë në prita një gjë e tillë do të përsëritet sa herë të ketë reshje me intensitet të lartë”, thotë Petrit Gjoni, drejtori i Bordit të Kullimit të Lezhës.
Autoritetet ende nuk e kanë një bilanc të saktë të dëmeve materiale të kësaj përmbytjeje të papritur. Deri tani ajo shkaktoi një të vdekur në Laç dhe shkatërroi jetët dhe banesat e dhjetëra familjeve si ajo e Alban Tafës. /tch/