Site icon Telegrafi

Përmbytjet pas çarjes së digës në hidrocentralit në Bunec të Himarës, Ministria e Mbrojtjes zbulon detajet

Mëngjesin e sotëm diga e hidrocentralit në fshatin Bunec të Himarës është çarë, duke vendosur në alarm strukturat e Emergjencave Civile.

“Sot, rreth orës 12:38, në Bunec, Lukovë, dyshohet se është çarë diga e hidrocentralit, duke krijuar rrezik për përmbytje”, njofton policia, shkruan A2 CNN.

Hidrocentrali i fshatit Sasaj furnizohet me ujë nga burimi i lumit të Kalasë dhe prodhon energji elektrike për zonën bregdetare të Himarës.

Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes ka dhënë informacion shtesë për mediat, për situatën e krijuar në Bashkinë e Himarës.

Në njoftimin e Ministrisë thuhet se në momentin e shembjes së ujëmbledhësit të Sasajt në Bunec, ka patur rreth 15 mijë metra kub ujë që është shkarkuar dhe si pasojë ka prezencë uji dhe balte në 12 biznese në Bunec dhe është dëmtuar baza ushqimore e blektorisë ne 2 familje.

Fatmirësisht sipas Ministrisë, nuk ka probleme në njerëz, ndërkohë që po punohet për normalizimin e situatës, shkruan A2 CNN.

Për shkak të çarjes së hidrocentralit kanë mbetur pa energji elektrike disa fshatra si Borsh, Qeparo, Lukovë dhe Shën Vasil. Uji ka hyrë në nënstacionin elektrik të zonës deri në 1 metër duke detyruar të stakojnë energjinë elektrike.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes:

Informacion mbi situatën e krijuar në bashkinë Himarë

Rreth orës 12:26 të ditës së sotme ujëmbledhësi i Sasajt, në Bunec, bashkia Himarë, i cili është ndërtuar në vitin 2010 ka pësuar shembje. Në momentin e shembjes ka patur rreth 15.000 metra kub ujë. Si pasojë ka prezencë uji dhe balte në 12 biznese në Bunec dhe është dëmtuar baza ushqimore e blektorisë ne 2 familje.

Nuk ka probleme në njerëz.

Aktualisht është bërë i kalueshëm aksi i rrugës nacionale Bunec-Piqeras dhe po punohet nga strukturat e bashkisë Himarë për pastrimin e baltës. Situata po ndiqet nga prefektura Vlorë dhe strukturat e emergjencave civile të bashkisë Himarë.

Ministria e Mbrojtjes, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë përherë në gatishmëri, në ndihmë të komunitetit.

Exit mobile version