Reshjet e shumta atmosferike dhe përmbytjet që kanë pasuar kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në Komunën e Rahovecit.
Kryetari i kësaj Komune Smajl Latifi përmes një njoftimi në Facebook ka kërkuar ndihmën urgjente të qeverisë.
Latifi thotë se nga përmbytjet e shumta janë shkaktuar dëme në shtëpi banimi, ekonomi familjare, biznese, hapësira dhe objekte publike.
I pari i Rahovecit njoftimit ia ka bashkangjitur edhe disa fotografi që paraqesin gjendjen e rënduar pas vërshimeve.
Njoftimi i plotë i Latifit
Dëme të mëdha nga vërshimet dhe përmbytjet në Rahovec, kërkojmë përkrahjen urgjente të Qeverisë
Bashkë me Nënkryetarin Fatmir Iska dhe drejtorë komunal, pas një nate të vështirë për bashkëqytetarët e mi, sot vizituam zonat e prekura, posaçërisht përmbytjet e mëdha që ndodhën mbrëmë gjatë gjithë natës në komunën tonë.
Përmbytjet nga ujërat dhe pasojat që kemi në shtëpi banimi, ekonomi familjare, biznese, hapësira dhe objekte publike i shohim në: Fortesë, Sapniq, Pataqan i Ulët, Ratkoc, Malësi eVogël, Gexhë, Celinë, Xërxë, Retijë, Dejn, Krushë e Madhe, Çifllak, Hoçë e Vogël, Dobidol, Pastasel, Polluzhë, Kramavik etj. Pra, në qytet dhe në shumicën e fshatrave, si pasojë e reshjeve të mbrëmshme dhe erërave të forta kemi: shembje të mureve dhe të dheut në qytetin e Rahovecit, si në: rr.” Milaim n Morina dhe rr. “Mexhit Mustafa” si dhe shembje të murit në rr. “Vëllezërit Frashëri” dhe në disa fshatra.
E, drejtoria e emergjencave në komunën tonë bashkë me zjarrfikësit, drejtorinë e shërbimeve publike, drejtorinë e bujqësisë dhe kompanitë e kontraktuara, por edhe vullnetarë ashtu sikurse mbrëmë, vazhdojnë t’ju dalin në ndihmë familjeve të prekura.
Me vendimin tim janë formuar komisione të veçanta të vlerësimit, të cilat po regjistrojnë dëmet e mëdha në amvisëri, ekonomi të shumta familjare, bujqësi dhe infrastrukturë publike. Po bëjmë krejt çka është e mundshme si komunë, e pas hartimit të raporteve të vlerësimit, do të kërkojmë nga institucionet qendrore në Prishtinë përkrahje direkte për mbulimin e dëmeve.
Qytetarët që kanë nevojë për përkrahje emergjente të lajmërohen te drejtoria e emergjencave në numrin: 029-277-555.
Njëkohësisht, ju bëj thirrje qytetarëve të rrisin kujdesin dhe të mos lëvizin në pikat ku ende ka pasiguri dhe rrezik.