Telegrafi

Përmbytje përsëri në komunën e Nënshkodrës

Janë përmbytur sipërfaqe toke dhe banesa pas hapjes së portave të hidrocentralit të Vaut të Dejës. Problemet më të mëdha duket se janë në komunat e Bërdicës, Gurit të Zi, Malësisë së Madhe dhe Bahcallëkut në qytetin e Shkodrës.

Rruga që lidh Shqipërinë me Malin e Zi, Shkodër-Hani i Hotit vazhdon të mbetet e bllokuar ndërkohë që të mërkurën edhe trageti që bën rrugën ujore Fierzë-Koman u detyrua të kthehet mbrapsht.

Shtabi i Emergjencave në Prefekturën e Shkodrës pritet të mblidhet të enjten për të përcaktuar masat që duhet të ndërmerren me shpejtësi për të pasur sa më pak dëme.

Ministri i Ekonomisë Ilir Meta dhe drejtori i KESH-it Ëngjëll Zeqo kanë vizituar hidrocentralin e Vaut të Dejës për të parë gjendjen dhe për tu kujdesur që të ketë sa më pak shkarkime nga ky hidrocentral. /Telegrafi/