Rrugët e qytetit të Vlorës janë përmbytur këtë të enjte pas shirave të rënë gjatë ditës.
Në aksin rrugor Vlorë-Radhimë ka pasur rrëshqitje të dherave në rrugë, duke bllokuar edhe lëvizjen e automjeteve. Lagjet e qytetit, veçanërisht “Albano dhe Romina“, lagjja “Partizani” dhe rruga pranë Bibliotekës së qytetit janë përmbytur.
Policia rrugore e Vlorës përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se për shkak të reshjeve të shiut në aksin rrugor Vlorë-Orikum, ka pasur rrëshqitje të dheut, gjë që ka sjellë bllokim të lëvizjes së mjeteve.
“Policia Rrugore ka shtuar prezencën e shërbimeve në të gjitha akset rrugore dhe apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të bëjnë kujdes të veçantë, pasi ka prezencë të ujit në disa rrugë”, thuhet në njoftim.