Ky aksion mblodhi produkte ushqimore dhe higjienike për familjet nevojtare, nga kontributi i qytetarëve zemërgjerë të cilët ndanë artikuj nga blerja e tyre për t’i lënë tek këndi i Bamirësisë i Shoqatës Nëna Terezë të vendosura në pikat e Viva Fresh Store në tërë Kosovën.
Po ashtu, mbështetësi i këtij aktiviteti, Viva Fresh Store, ka dhuruar 200 pako të përbëra me artikuj bazë ushqimor dhe higjienik, kështu duke rritur numrin e familjeve të ndihmuara në kuadër të këtij aktiviteti.
Përmes kësaj iniciative, e cila përfundon në ditën e fundit të muajit të Ramazanit, deri më tani janë ndihmuar mbi 400 familje anembanë Kosovës, që jetojnë në kushte të rënda sociale dhe ekonomike.
Drejtori i Shoqatës Nëna Terezë, Zef Shala, ka shpjeguar se mbështetja e familjeve nevojtare ka qenë e vazhdueshme përgjatë aktivitetit, pasi që me tu mbushur stendat në pikat e Viva Fresh Store, Stafi dhe vullnetarët e Shoqatës Nëna Terezë kanë filluar menjëherë me formimin e pakove me artikuj, duke vazhduar me shpërndarjen e tyre.
“Një falënderim i veçantë shkon për partnerin kyç të aksionit, Viva Fresh Store, për mbështetjen që na ka dhënë, dhe vlerësojmë lartë donacionin e tyre prej 200 pakosh dedikuar familjeve të varfra anembanë Kosovës. Vlen të theksohet se kjo iniciative është fuqizuar edhe nga një donacion prej 1500 eurosh, shumë e kthyer në artikuj ushqimor, dhënë nga një grup qytetarësh zemërgjerë”.
Përmes kësaj iniciative, Shoqata Nëna Terezë ka bashkuar forcat me Viva Fresh Store dhe qytetarët e Kosovës, duke vendosur fokusin e publikut mbi familjet e varfra, të cilët janë në nevojë për mbështetje të vazhdueshme. /Telegrafi/