Java e 18-të e Ligës së Parë të Maqedonisë shënoi fundin e sezonit vjeshtor, duke sjellë ndeshje emocionuese dhe rezultate që kanë ndryshuar ndjeshëm situatën në krye të tabelës, njofton Telegrafi.
Në përballjen kryesore të javës, Shkëndija nuk arriti të shfrytëzojë avantazhin e terrenit vendas, duke barazuar pa gola (0-0) ndaj Gostivarit. Ky rezultat i kushtoi Shkëndijës dy pikë të rëndësishme, duke humbur epërsinë në krye të tabelës. Tani, Shkëndija ndan vendin e parë me Sileksin dhe Rabotniçkin, të tre me nga 37 pikë, ndërsa Gostivari mbetet ndjekës me dy pikë më pak.
Struga shënoi fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Voska Sportit, falë dy golave të realizuar nga Maleski. Voska arriti të barazojë përkohësisht me një gol të shënuar nga Osei, por nuk mundi të shmangte humbjen.
Shkupi siguroi fitoren e dytë radhazi, këtë herë ndaj Besës në Gostivar. Fitorja erdhi nga një autogol i Zahovit, pasi Diene goditi shtyllën ndërsa topi goditi në shpinë portierin Zahov dhe u fut në rrjetë. Kështu kjo fitore i ka dhënë ekipit kryeqytetas tri pikë të vlefshme në përpjekjen për të rikuperuar veten në tabelë.
Rabotniçki dominoi ndaj Pelisterit, duke fituar 3-0 me dy gola të Atdhe Mazarit dhe një të Ali Regbas. Ndërkohë, Sileksi mposhti Vardarin 1-0, falë një goli të shënuar nga Eftimov, për të qëndruar në garën për titull.
Tikveshi mundi AP Breran me rezultat 2-0, në një përballje që u karakterizua nga tensionet dhe tre kartonë të kuq – dy për vendasit dhe një për mysafirët. Golat e fitores për Tikveshin u shënuan nga Manasievski dhe Stojkoski.
Rezultatet e javës së 18-të:
Shkëndija – Gostivari 0-0, Besa – Shkupi 0-1, Struga – Voska Sport 2-1, Tikveshi – AP Brera 2-0, Rabotniçki – Pelisteri 3-0 dhe Sileksi – Vardari 1-0.
Me këtë përfundim dramatik të sezonit vjeshtor, gara për titullin kampion premton të jetë jashtëzakonisht emocionuese në pjesën pranverore të kampionatit. /Telegrafi/