Site icon Telegrafi

Përmbyllet manifestimi “Ditët e Diasporës”, në Podujevë

Në kuadër të Manifestimit “Ditët e Diasporës”, për më shumë se dy javë, në Podujevë janë realizuar ngjarje të shumta kulturore e sportive, të cilat kanë sjell shumë gjallëri në qytet.

Manifestimi nisi më 26 korrik me koncertin e Shoqërisë Kulturore Artistike “Zahir Pajaziti” dhe zgjati deri të mërkurën më 14 gusht me finalen e turneut të verës në futsall , transmeton Telegrafi.

Komuna e Podujevës përmes një njoftimi i ka radhitur të gjitha aktivitetet që janë zhvilluar.

“Aktivitetet kanë vazhduar me garat në arte marciale Brazilian “Jiu-Jitsu”, ku sportistë vendas e të huaj shfaqën shkathtësitë e tyre në këtë sport. Gjatë këtyre ditëve janë zhvilluar gara edhe në pingpong, është mbajtur turneu i verës në futsall “Podujevë 2024” dhe është zhvilluar lojë në volejboll ndërmjet Klubit Llapi dhe Klubit Prishtina. Aktivitetet sportive kanë vazhduar me Kampin pesëditor të Karatesë në Parkun e Pishave e me një performancë nga Federata e Gjimnastikës në Bulevardin e Qytetit”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, ka pasur edhe aktivitete për të rinjtë, si sporti i kajakimit i cili u mbajt për herë të parë në liqenin e Batllavës.

“Në Liqenin e Batllavës është mbajtur edhe edicioni i parë i Festivalit “Kayak Fest Kosova”, ku përgjatë tri ditëve sportistë e qytetarë nga Podujeva e më gjerë kanë pasur mundësinë ta provojnë ndjenjën e kajakimit”, thuhet në njoftim.

Për më shumë se dy javë Sheshi “Katër Dëshmorët” është shndërruar në qendër kulturore e sportive. Aty janë mbajtur edhe dy koncerte të mëdha, janë mbajtur dy panaire artizanale ku janë ekspozuar produkte të ndryshme ushqimore, veshje kombëtare e gjëra tjera tradicionale, të përgatitura kryesisht nga gratë llapjane. /Telegrafi/

Exit mobile version