Është përmbyllur me sukses kampi stërvitor katërditor në stadiumin “Fadil Vokrri” i mbajtur nga Kombëtarja e Kosovës.
Futbollistët kandidatë potencialë për Kombëtaren A përfunduan me sukses përgatitjet nën drejtimin e përzgjedhësit Franco Foda dhe stafit të tij.
Sipas faqes zyrtare të FFK-së, ata u shprehën të kënaqur me punën e bërë dhe filozofinë e lojës së trajnerit.
Lojtarët shpresojnë që me përkushtim e punë të vazhdueshme në klubet e tyre do të arrijnë të bëhen pjesë e Kombëtares A dhe në grumbullimet për ndeshjet zyrtare.
Pjesë e këtij grumbullimi ishin lojtarë nga Superliga e Kosovës si Luan Lleshi, Dion Gallapeni, Yll Ibrahimi, Etnik Brruti, Erlis Xhemajli, Hekuran Berisha, Rigon Llugiqi, Gentrit Salihu, Elvir Gashijani, Laurent Xhylani dhe Fatjon Bunjaku.
Grumbullimi i radhës i Dardanëve është në muajin mars për ndeshjen e ‘play-off’-it kundër Islandës. /Telegrafi/