Telegrafi

Përmbyllet afati ligjor, 25 subjekte politike garojnë në zgjedhjet e 6 tetorit

 Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, ka njoftuar se është përmbyllur afati ligjor për dorëzimin e kërkesave dhe listave të kandidatëve të subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e 6 tetorit.

Zëdhënësi për media në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi,  ka njoftuar se kërkesat për pjesëmarrje në zgjedhje i kanë dorëzuar 25 subjekte politike.

“KQZ njofton se është përmbyllur afati për dorëzimin e listës së deputetëve për certifikim në zgjedhjet e 6 tetorit. Brenda afatit kohor kanë dorëzuar gjithsej 25 subjekte politike, 20 parti politike, 4 koalicione dhe 1 i pavarur”, tha ai.

Elezi ka treguar se nuk ka iniciativa qytetare që kanë dorëzuar listën e tyre për certifikim.

“Nga sot, e shtunë, fillon faza e shqyrtimit të të gjitha aplikimeve. Më pas, Zyra për Regjistrim të partive politike paraqet pranë KQZ-së rekomandimet lidhur me aplikimet dhe KQZ-ja do të vendosë për aprovimin apo refuzimin e certifikimit”.

“Vendimmarrja lidhur me certifikimin do të bëhet deri më 10 shtator”.

Ndërkaq, një pjesë e subjekteve politike tanimë kanë publikuar listën me kandidatët për deputet, të tjerët priten ta publikojnë të shtunën. /Telegrafi/