Site icon Telegrafi

Përmbyllen mbi 98% e projekteve të Fondacionit të Mileniumit, Selimi: Përftimet janë të shumanshme

Fondacioni i Mileniumit të Kosovës ka arritur të përfundojë mbi 98 për qind të projekteve. Për pesë vjet punë në Kosovë janë dhënë grante, e me qindra vajza e gra janë punësuar në fushën e energjisë, janë rinovuar ndërtesa të shumta, e rreth dy mijë qytetarë kanë qenë përfitues të subvencioneve për efiçencën energjetike.

Drejtori ekzekutiv i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës, Petrit Selimi thotë se për pesë vjet janë implementuar projekte të shumta në fushën e energjisë dhe transparencës qeveritare.

“Jam i gëzuar t’ju raportoj se mbi 98% të projekteve janë ekzekutuar dhe janë në përfundim. Projektet kanë qenë të llojeve të ndryshme. Për shembull në fushën e energjisë, instalimi i njësorëve për klientët e Termokos-it, 17,500 banesa janë përfitues të valvulave të reja, kokave, njësorëve dhe tashmë Termokos-i do të shndërrohet në një kompani moderne, që faturon jo sipas metrave katrorë, por sipas shfrytëzimit. Kjo sjell edhe efiçiencë edhe ndryshim të sjelljeve të banorëve që mund ta kontrollojnë tash ngrohjen, ta zvogëlojnë edhe të paguajnë më pak”, deklaron Selimi.

Veç kësaj, Selimi tregon se projekt me rëndësi ka qenë edhe i ndërtimit të dritares së garancioneve bankare investitorët në fusha solare.

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës ka mundësuar edhe punësimin e shumë grave përmes programit “Gratë në Energji”, të titulluar “Punë praktike me pagesë për gratë në energji”.

“Projekti gratë në energji ka qenë i shumanshëm dhe shumë i thellë si intervenim. Sepse ka mundësuar me qindra gra të përfitojnë grante nga fondacioni jonë për investime në mjete të punës efiçiente, qoftë në prodhim të ushqimit, qoftë në fusha të tjera ekonomike, ku gratë kanë qenë përfituese. I kemi jep 26 stipendiome për gratë që të studiojnë në Amerikë në fusha të energjisë. Ato 26 gra kur janë kthyer në Kosovë, të gjitha tani janë duke punuar në sektorin privat, ose në sektorin publik në fushën e energjisë. Ka qenë një investim i krijimit të një gjenerate të re të liderëve në fushën e energjisë.


Po ashtu, i kemi dhënë 243 pozita të punës praktike, ku ne kemi paguar gjashtë muaj rrogë për vajza studente dhe tash jam i gëzuar që mbi 40 për qind të këtyre vajzave kanë vazhduar punën me kontrata të plot”, shton ai.

Drejtori i MFK-së përmend edhe investimin tre milionësh nga MCC për renovimin e pesë kullave “Soliterat” të lagjes “Ulpiana” në Prishtinë.

“Fondacioni i Mileniumit të Kosovës ka pasur rezultat fenomenal me mbi një mijë shtëpi që kanë investuar me neve me masat e efiçiencës energjetike. Ne kemi paguar nga 50 deri në 90 për qind të disa rasteve sociale të investimeve, kemi investuar edhe në 26 banesa në mbarë Kosovën, në shumë komuna për eficiencën energjetike. Përfshirë soliterat ikonik të Prishtinës të cilat janë totalisht të rinovuar me shumë masa, të cilat do të sjellin një ngrohtësi dhe një konform më të madh në këto familje. Edhe ky ka qenë një ndër rezultatet kryesore të një projekti shumë kompleks dhe intervenimit dhe investimit të MCC-së në Kosovë”, thotë Selimi.

Në gjithë Kosovën tashmë dy mijë familje jetojnë në rehati dhe paguajnë fatura më të ulëta të energjisë elektrike.

“Një intervenim tjetër ka qenë i rëndësishëm projekt “SEEK”-Subvencioni për Efiçiencë Energjetikë në Kosovë, ku kemi dhënë subvencione për efiçiencën energjetike në shtëpi private dhe në banesa. Diku afër dy mijë përfitues total janë familje, pra qoftë si shtëpi individuale, qoftë si njësite banesore në gati krejt Kosovën. Projekti tjetër i rëndësishëm ka qenë promovimi i të dhënave të hapura ‘Open Data’, investim në institucione të ndryshme si Instituti Hidrometeorologjik, apo Këshilli Gjyqësor i Kosovës me harduer dhe softuer ne kemi arritur që publikut t’i ofrojmë të dhëna më të shumta për fusha specifike si në ambient apo në ndotje të ajrit, ashtu edhe për procese gjyqësore apo kontrolle të rasteve gjyqësore për individ”, përfundon Selimi për KosovaPress.

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës është themeluar në vitin 2017, pas nënshkrimit të marrëveshjes mes MCC-së dhe Kosovës, të quajtur “Threeshold”, apo marrëveshja e pragut.

Kjo marrëveshje e ka pasur një kornizë kohore, e cila tash po përfundon. Ndërkohë, Qeveria e Kosovës këtë vit e ka nënshkruar marrëveshjen e re me MCC-në të quajtur “Kompakt”. Këtu do të përfshihen projekte të tjera infrastruktore e në energji në vlerë prej më shumë se 200 milionë euro.

Exit mobile version