Me dhimbje e krenari, janë përkujtuar të gjithë ata që u vranë në Komunën e Suharekës.
Në përvjetorin e 17-të të përkujtimit të viktimave civile pjesëtarë të familjes Berisha, kanë kërkuar nga institucionet e vendit që të bëjnë më shumë për ata që u flijuan, raporton KTV.
Punë më shumë nga institucionet e vendit, ka kërkuar edhe nënkryetari i Komunës së Suharekës, Rexhep Kuçi.
Edhe në Krushë të Madhe është shënuar 17-vjetori i të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë.
Familjarët kanë kritikuar EULEX-in, i cili nuk ka arrestuar e dënuar asnjë ekzekutor serb që vranë dhe masakruan fëmijë, gra dhe pleq të këtij fshati.
Për masakrën e Suharekës dhe të Krushës së Madhe ka reaguar edhe kryeministri Isa Mustafa. Ai ka thënë se të gjithë ata që u vranë janë martirë të lirisë dhe janë dëshmi e krimeve kundër njerëzimit dhe gjenocidit që regjimi i Serbisë kreu në Kosovë.
Ndërsa aktivistët e Iniciativës të të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, së bashku me aktivistët e “Nisma Ime”, kanë marshuar nga Beogradi në Batajnicë për viktimat e Suharekës.