Jetojnë në Kosovë, por të dielën serbët e Graçanicës votuan për zgjedhjet e shtetit të Serbisë.
E për ta dëshmuar se janë shtetas të Serbisë, ata votojnë me dokumente identifikimi të lëshuara nga po ky shtet, raporton KTV.
Ndonëse shumica prej tyre dolën në zgjedhjet e Kosovës, dyshtetësia u mundësoi atyre që këtë herë të votojnë për një shtet tjetër.
Pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e Serbisë po e arsyetojnë me shpresën se ky shtet do t’ua përmirësojë mirëqenien. E nga 5 qendrat gjithsej sa u hapën në tërë vendin për këto zgjedhje OSBE-ja bëri të ditur se i gjithë procesi shkoi pa asnjë incident.
Ndërsa numërimi i votave pas mbylljes së vendvotimeve do të bëhet sipas marrëveshjes me OSBE-në në qytetet e Vranjës e Rashkës.
Në anën tjetër, partitë politike në vend e kanë kundërshtuar këtë proces.
Lëvizja Vetëvendosje ka kritikuar Qeverinë për, siç thuhet, lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.
Sipas këtij subjekti politik, sot në territorin e Republikës po mbahen zgjedhjet e Serbisë sipas Kushtetutës së saj, duke e konsideruar Kosovën pjesë integrale të Serbisë.
Vetëvendosje thotë se Qeveria e Kosovës ka zgjedhur që t’i arsyetojë këto zgjedhje njëjtë si kudo në Serbi. Ky subjekt politik e quan kryeministrin e Kosovës më shumë “zëdhënës të Qeverisë së Serbisë”, sesa kryeministër të një shteti të pavarur.
Kundër mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë ka reaguar edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
“Qëndrimi i institucioneve, për të lejuar që të votohet në Kosovë për zgjedhjet e një shteti tjetër, është shkelje e rëndë e sovranitetit dhe të kushtetutës së vendit. Kjo është një goditje edhe për përpjekjet për integrimin e pakicës serbe në institucionet e Kosovës”, thuhet në reagimin e AAK-së. sipas këtij subjekti politik koncesionet që Qeveria e Kosovës po i bën Qeverisë së Serbisë, siç janë edhe votimet në Kosovë.