Ndihmës-sekretarja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Victoria Nuland, ka qëndruar në Kosovë për një vizitë zyrtare me krerët e shtetit të Kosovës.
Takimin e parë ajo e ka zhvilluar me presidentin Hashim Thaçi, i cili e ka siguruar atë se shpejt do të përfundojë çështja e marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me shtetin malazez, raporton KTV.
“Demarkacioni me Malin e Zi duhet të miratohet nga parlamenti sa më parë dhe se pa të drejtë, ai është kthyer në një çështje politike që po dënon pa të drejtë qytetarët e Kosovës duke ua vonuar liberalizimin e vizave”, ka thënë Thaçi.
Thaçi e ka njoftuar nënsekretaren amerikane për inicimin e plotësimit të Kodit Penal, me qëllim që askush të mos mund t’i ikë drejtësisë.
Nga ana tjetër, Nuland tha se prioritet i SHBA-së mbetet luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe sipas saj, është e rëndësishme për Kosovën hapat që do të marrë ajo muajt në vijim.
“Është mirë që Kosova të bëjë hapat e nevojshëm para vjeshtës dhe kështu të ruajë momentumin e zhvillimeve pozitive”, ka theksuar Nuland, e cila gjatë ditës ka zhvilluar takim edhe me kryeministrin e vendit, Isa Mustafa.
Kreu i ekzekutivit kosovar dhe ndihmës-sekretarja amerikane, siç njoftoi zyra e Kryeministrit, është diskutuar rëndësia që çështja e demarkacionit të adresohet sa më parë, duke i hapur kështu rrugë lëvizjes së lirë të kosovarëve në vendet e BE-së.
Kryeministri Mustafa, ndër tjerash, citohet të ketë biseduar me Nuland edhe për nevojën e ri-formatimit të qeverisë duke zvogëluar kabinetin qeveritar por duke rritur efikasitetin.
Më tutje, Nuland u prit në takim nga kryekuvendari Kadri Veseli, e ku sipas njoftimit të zyrës së këtij të fundit, Nuland ka theksuar se qeveria amerikane do të vazhdojë ta mbështes fuqishëm Kosovën në përparimin e saj, duke shtuar se forcimi i sundimit të ligjit dhe sistemit të drejtësisë janë thelbësore për këtë përparim.
Kurse në anën tjetër, Veseli ka thënë se institucionet e Kosovës mbeten të përkushtuara në agjendën e forcimit të shtetit ligjor si dhe në reformat e nevojshme që kanë të bëjnë me proceset euro-atlantike.
Në këtë takim u bisedua edhe për transformimin e FSK-së në ushtri si një proces i domosdoshëm për fuqizimin e Republikës së Kosovës.
E shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, Nuland, një takim të veçantë e ka zhvilluar në qeveri me zëvendëskryeministrin Branimir Stojanoviç, takim ky që njësoj si edhe të tjerët ka qenë i mbyllur për media.
Gjatë vizitës së saj në Kosovë, Nuland nuk është takuar me asnjë liderë apo përfaqësues të partive opozitare.
Vizita e nënsekretares amerikane, vjen në një kohë kur debatet dhe kundërshtitë për marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, janë shtuar shumë pasi kjo e fundit pritet të shkojë për ratifikim së shpejti në Kuvend.