Telegrafi

Përmbledhje e protestës së sotme të boshtit opozitar (Video)

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, janë të sigurta se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe se do të dalin fitues.

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendi, aktualisht përballet me dy rreziqe, njëri që vjen nga ndërhyrjet e Serbisë dhe tjetri nga qeveria Mustafa.

Duke shtuar se vendi doemos duhet të shkojë në zgjedhje. Derisa partneri i tij në opozitë, Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën, ka vënë theksin te marrëveshjet e qeverisë, që sipas tij, po bëhen në kundërshtim me interesat e vendit. I pari që iu drejtua protestuesve ishte, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi.

Krasniqi ka theksuar se kjo Qeveri u ka bërë dëme qytetarëve në të gjitha sferat e jetës, duke shtuar se zgjedhjet e parakohshme janë çelësi i kalimit të kësaj krize.

Para protestuesve kanë folur edhe banorë të Rugovës, të cilët kanë thënë se nuk do të pranojnë demarkacionin me Malin e Zi. Gjithashtu protestuesve u është drejtuar edhe zyrtari i AAK-së nga Peja, Ali Lajqi ndërsa ka performuar aktori Çun Lajqi.

Në fjalimet e tyre, zyrtarët e AAK-së dhe të Nismës për Kosovën, kanë paralajmëruar protesta të reja në kundërshtim të asaj që e quajnë ‘qeveri kundërkushtetuese’.