Këtë të mërkurë (24 prill), nisi dhe zbatimi i ligjit për amnistinë penale, ku përfituan lirinë 780 të burgosur në Shqipëri.
Euronews Albania solli një rast mjaft të veçantë të një të dënuari në burgun e Drenovës në Korçë.
Berti, fitoi lirinë pas rreth dy viteve në qeli për veprën penale të dhunës në familje, pasi ushtroi dhunë fizike ndaj ish-bashkëshortes.
Ai nuk u prit nga asnjë njeri në momentin që doli në ambientet e burgu.
Berti tha se tashmë duhet ta rifillonte jetën i vetëm, me shumë vështirësi, por shtoi se nuk do ta përsëriste më kurrë dhunën në familje.
“Nuk kisha shpresë se më thoshin nuk të kap amnistia. Pastaj më thanë që të kap dhe isha shumë i lumtur. Jetë e re tani, por shumë e vështirë. Nuk jam penduar se e kishte hak drurin gruaja. Atë që bëra e bëra, por nuk do e përsërisja më. Jeta në burg është shumë e vështirë. Unë nuk pata vështirësi se kam punuar në kuzhinë. Goca më thoshte mos u mërzit na ke ne. Sot nuk erdhi se ishte vetëm”, tha ai.
Pjesë nga intervista:
Gazetari: Sa vite ishe brenda në burg?
Berti: Unë në maj mbush dy vite.
Gazetari: Me bashkëshorten nuk komunikon më?
Berti: Jo nuk komunikoj më.
Gazetari: Nënë e babë të kanë ndërruar jetë?
Berti: Po!
Gazetari: Do jetë e vështirë ta nisësh jetën kështu tani? Çfarë do bësh?
Berti: E vështirë është se jam në një moshë se pavarësisht punën nuk e lë sa të mbyll sytë se kam nipër dhe mbesa, për ata do punoj.
Gazetari: Këto vite që ke qenë në burg të erdhi të vizitoi njeri?
Berti: Po goca e madhe! /EuronewsAlbania/