Site icon Telegrafi

Përleshjet në LDK, reagon Isa Mustafa – tubimet tona po i prishin njerëz të partive tjera

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar lidhur me lajmet në media për përplasjet e personave nëpër degët e LDK-së.

Mustafa në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se të gjithë duhet ta dinë se çdo proces zgjedhor i cili nuk respekton Statuin e LDK-së, Rregulloren e zgjedhjeve dhe që nuk është transparent ndaj anëtarësisë nuk do të pranohet.

Ai ka thënë se si Kryetar i LDK-së do të kërkojë nga organet përgjegjëse që ato të anulohen.

“Është e natyrës së mediave publike e private që të prodhojnë lajme, edhe me disa sjellje të papranueshme të disa individëve nga nëndegët e LDK-së. Por s’mund ta kuptoj ngarendjen e këtyre individëve që të prodhojnë lajme me budallallëqet e tyre dhe të njerëzve nga partitë e tjera që prishin tubimet e LDK-së!

Të gjithë duhet ta dinë se çdo proces zgjedhor i cili nuk respekton Statutin e LDK-së, Rregulloren e zgjedhjeve dhe që nuk është transparent ndaj anëtarësisë nuk do të pranohet. Si Kryetar i LDK-së do të kërkoj nga organet përgjegjëse që ato të anulohen.

Për rregullsinë e procesit zgjedhor vendimtare janë dispozitat e Statutit të LDK-së dhe Platforma zgjedhore, e jo konstatimet nga debatet e atyre që s’kanë asgjë të përbashkët me LDK-në”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ndryshe është raportuar se një përleshje tjetër ka ndodhur, sot rreth orës 21:00, në LDK-në e Vranjevcit.

Lexo po ashtu Përleshje në mbledhjen e LDK-së në Vranjevc, disa persona të arrestuar

Trupa të shumta policore janë parë tek zyra ku ka ndodhur incidenti.

Sipas raportimeve të medieve besohet se përleshja ka ndodhur mes policisë dhe disa personave të pa identifikuar.

Po ashtu edhe të enjten është raportuar për një përplasje verbale në nëndegëne LDK-së në “Mati 1”.

Lexo po ashtu Kryetari i nëndegës së LDK-së në 'Mati 1' flet për përplasjen: Këtë po e bëjnë ata që nuk ia duan të mirën LDK-së

Kryetari i nëndegës së LDK-së në “Mati 1” në Prishtinë, Avdi Pireva, ka thënë për Telegrafin se ka pasur tentim për t’u futur brenda emrat të cilët nuk ishin në listat për delegat.

“Nuk është e vërtetë se ka pasur përleshje. Ka pasur tentim për t’u futur brenda njerëz që nuk i kanë pasur emrat në listat për delegat, dhe ata normal nuk lejohen me u fut brenda. Tre apo katër prej tyre kanë qenë që i kanë pasur emrat në këto lista të delegatëve, dhe i kemi lejuar me u fut brenda, dhe kur e kanë parë që ata janë pakicë kanë dal jashtë, e kanë lëshuar Kuvendin”, ka thënë ai./Telegrafi/

Exit mobile version