Site icon Telegrafi

Përleshje në parlamentin turk, grushta e shqelma mes përfaqësuesve të Erdoganit dhe opozitës

Përleshjet fizike nuk janë të rralla në parlamentin e Turqisë – e një përleshje e tillë shpërtheu pasi partia në pushtet u etiketua si “organizatë terroriste”.

Një përleshje shpërtheu mes deputetëve turq të premten gjatë një debati të ashpër mbi një delegat të opozitës aktualisht të burgosur, për ato që konsiderohen gjerësisht si akuza të motivuara politikisht, transmeton Telegrafi.

Pamjet televizive treguan Ahmet Şık, një përfaqësues nga e njëjta parti me deputetin e burgosur, duke u afruar dhe sulmuar nga një ligjvënës nga partia në pushtet e presidentit Recep Tayyip Erdoğan teksa fliste në sallë.

Şık sapo i kishte quajtur anëtarët e partisë në pushtet një “organizatë terroriste”. Në një përleshje të mëvonshme ku përfshiheshin dhjetëra deputetë, një deputete femër u godit, duke lënë pika gjaku në shkallët që të çonin në foltore.

Raportohet se është lënduar edhe një tjetër anëtar i opozitës.

“Është një situatë e turpshme”, tha Özgür Özel, i cili kryeson partinë më të madhe opozitare.

“Në vend që fjalët të fluturojnë në ajër, po fluturojnë grushtat, ka gjak në tokë. Ata godasin gratë”, shtoi ai. /Telegrafi/

Exit mobile version