Telegrafi

Përleshje në dy ndeshje të Superligës

Ndeshja ndërmjet Gjilanit dhe Besës e zhvilluar të dielën, përfundoi me rezultatin 0:0 dhe pa eksese në fushë.

Por, jashtë fushës, në hyrje të zhveshtoreve të stadiumit të qytetit të Gjilanit, pas përfundimit të ndeshjes ka pasur tensione nga ana e futbollistëve të të dy palëve. Nuk janë kursyer nga asnjëra palë sharjet dhe fyerjet. Tollovi është krijuar edhe brenda objektit të stadiumit.

Për dallim nga Gjilani, në Kizhnicë tensione pati në fushë, gjatë ndeshjes në mes të Hajvalisë dhe Vushtrrisë, shkruan Koha Ditore.

Në pjesën e dytë pati shtyrje në mes lojtarëve të të dy skuadrave, më pas tentim për përleshje dhe në fund edhe ndonjë shtyrje në mes të lojtarëve të skuadrës mysafire. Në fushë u futën edhe dy trajnerët, dhe zemërimi i lojtarëve disi u kontrollua.

Ndeshjen e së dielës në Kizhnicë e fitoi Hajvalia me rezultatin 4:1.