Telegrafi

Përleshje mes pasagjerëve gjatë fluturimit në Australi, njëri prej tyre theu dritaren – piloti detyrohet të bëjë ulje emergjente

Shumë persona u përleshën të enjten e kaluar në një fluturim nga Cairns në Darwin në Gjirin e Carpentaria të Australisë.

Si pasojë e përleshjes, dikush theu dritaren dhe pilotit të aeroplanit iu desh të bënte dy ulje të detyruara e katër persona u arrestuan, transmeton Telegrafi.

Pasi shpërtheu përleshja e parë e pasagjerëve gjatë fluturimit, aeroplani bëri një ulje emergjente në Cairns dhe gruaja që shkaktoi incidentin u arrestua dhe u akuzua për sulm, sjellje të çrregullt dhe mosrespektim të udhëzimeve të sigurisë.

Më pas aeroplani u ngrit sërish, por grupi i pasagjerëve të përfshirë në përleshjen e parë nisi sërish debatin dhe shpërtheu një tjetër sherr.

Aeroplani bëri sërish një ulje emergjente, këtë herë në Alyangula në Groote Eylandt, ku policia arrestoi tre pasagjerë të tjerë. Njërit prej tyre iu gjet drogë dhe alkool. /Telegrafi/