Telegrafi

Përleshje me gurë tek barrikada në Mitrovicë

Nuk ka të lënduar, ndërsa dy të rinj shqiptarë janë shoqëruar në stacionin policor në jug të qytetit.

“Incidenti ka mundur të eskalojë po të mos intervenonin me kohë pjesëtarët e policisë së Kosovës që qëndrojnë mbi urë”, kanë thënë për Kosovapress disa qytetarë të rastit, të cilët gjatë incidentit kanë qenë krejt afër urës.

Dy të rinj shqiptarë, banorë të Lagjes së boshnjakëve, të cilët nuk deshën t’i bëjnë emrat publikë, kanë bërë të ditur për Kosovapress se duke ardhur për në pjesën jugore të qytetit, janë provokuar dhe më pastaj janë gjuajtur me gurë nga disa serbë, që kujdestarojnë vazhdimisht afër barrikadës.

Sipas tyre, ata janë sharë dhe fyer mbi baza nacionale, ndërsa i janë përgjigjur provokimeve duke hedhur po ashtu gurë në drejtim të tyre.

Disa qytetarë të pranishëm në atë moment tek ura, i kanë thënë Kosovapressit se policia ka reaguar menjëherë duke hyrë në mes tyre, dhe duke penguar në këtë mënyrë eskalimin e situatës.

“Ka pasur pastaj shtyrje në mes të policëve që gjendeshin mbi urë dhe të rinjve shqiptarë që po tentonin të shkonin në drejtim të serbëve. Në ato momente, një polic ka përdorur sprejin ndaj dy të rinjve shqiptarë, ndërkohë që aty me shpejtësi kanë arritur tri automjete të policisë dhe me pas edhe disa automjetet të karabinierëve italianë, të cilët kanë shoqëruar shqiptarët në stacion të policisë”, kanë thënë dëshmitarët.

Njëri nga policët, në kushte anonimiteti tha për Kosovapress se nuk e din se si ka filluar incidenti, por këtu mbi urë u deshtë të intervenohej pasi që të rinjtë shqiptarë donin të shkonin në drejtim të serbëve në cepin verior të urës. Ndërkaq, polici serb tha se ishte një provokim i dyanshëm i disa të rinjve dhe më pastaj u përdorën gurët nga të dyja grupet, por nuk u lëndua askush dhe çdo gjë përfundoi mirë.

“E tëra do të sqarohet pas shikimit të xhirimeve që i kanë bërë kamerat e instaluara përreth urës”, ka thënë polici për Kosovapress. /Telegrafi/