Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me përleshjen e së premtes në mbrëmje ndërmjet disa personave dhe zyrtarëve policorë.
Në njoftim thuhet se janë arrestuar dy persona, pronarë të një subjekti, për dhënien me qira të mjeteve elektrike.
“Dy të arrestuarit ushtronin aktivitetin e tyre pa licencë duke zaptuar hapësirën publike. Punohet për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të cilët goditën punonjësit e Policisë gjatë detyrës”, thuhet në njoftim.
“Mbrëmjen e djeshme në Lungomare, punonjësit e qarkullimit rrugor të planizuar në këtë aks, gjatë kontrolleve të ushtruara për përdorimin e kaskave tek motorët elektrikë dhe monopatinat, kanë konstatuar shtetasin D. J., në kundërvajtje, të cilin e kanë ndaluar.
Gjatë komunikimit të kundërvajtjes dhe masës administrative, janë afruar dy pronarët e subjektit ku shtetasi D. J. kishte marrë motorin elektrik me qira, konkretisht shtetasit R. P. dhe K. P., të cilët së bashku me shtetas të tjerë kanë debatuar verbalisht me punonjësit duke i kundërshtuar e më pas i kanë goditur me grusht. Si pasojë e konfliktit, dy punonjës policie aktualisht ndodhen në spitalin e Vlorës, pasi kanë pësuar fraktura, jashtë rrezikut për jetën”, thuhet në njoftim.
Policia tutje thekson se në vijim të veprimeve procedurale, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Vlorë, oficeri i Prokurorisë ka bërë ndalimin e dy shtetasve R. P., 29 vjeç dhe K. P., 23 vjeç, (vëllezër), të cilët goditën punonjësit e Policisë gjatë detyrës.
Dy shtetasit e arrestuar, pronarë të subjektit për dhënien me qira të mjeteve elektrike, gjithashtu kanë rezultuar se e ushtronin këtë aktivitet pa licencë, duke zaptuar hapësirën publike.
“Po në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.
Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Policia e Vlorës u bën thirrje qytetarëve që të respektojnë ligjin dhe t’i përgjigjen urdhrave të punonjësve të Policisë për të shmangur incidente të tilla të papranueshme. Bashkëpunimi me Policinë është thelbësor për të garantuar sigurinë dhe rendin publik në qytet”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/