Vizita e njëkohshme e kryedemokratit Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama në Elbasan në Ditën e Verës ka përfunduar në përleshje fizike mes militantëve të dy partive.
Mësohet se konflikti ka nisur nga ana e militantëve të PD të cilët kishin shkuar në vendin ku ndodhej kryeministri Edi Rama duke thirrur “Rama ik”. Ka mjaftuar kaq që mes personave që shoqëronin kryeministrin dhe militantëve të PD të niste një konfrontim fizik.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Twitter duke e cilësuar ngjarjen një “shfaqje vulgare të degradimit të një opozite demode”.
“Kjo shfaqje vulgare është një tjetër shembull i degradimit të një opozite demode, e cila ka në krye një kukull në duart e Saliut & Ilirit, që duan sherr e përçarje, për të marrë peng Shqipërinë e drejtësinë! Keqardhje e madhe për #PD e kthye në vegël e dy hallexhinjve të drejtësisë!”, shkruan Rama.
Kjo shfaqje vulgare është një tjetër shembull i degradimit të një opozite demode, e cila ka në krye një kukull në duart e Saliut&Ilirit, që duan sherr e përçarje, për të marrë peng Shqipërinë e drejtësinë!Keqardhje e madhe për #PD e kthye në vegël e dy hallexhinjve të drejtësisë!
— Edi Rama (@ediramaal) March 14, 2021
Edhe kreu i grupit parlamentar socialist njëkohësisht deputet i qarku Elbasan, Taulant Balla ka reaguar përmes një statusi në Facebook, duke e cilësuar ngjarjen një provokim politik që nuk kishte ndodhur kurrë Ditën e Verës në Elbasan.
“Meqenëse Lulzim Basha flet për banda, pamja e sotme ishte tamam pamja e një bande pengmarrësish të festes, me zhurmën përçarëse e me flamujt e Partisë Demokratike, me 3-4 makina të shtrenjta që xhironin gomat në mes të mijëra qytetareve, familjarëve, fëmijëve! Elbasanllinjtë që kurrë s’janë dalluar si sherrxhinj nuk ia kishin borxh PD-së këtë inskenim të Ilir Metës me duart e Lulzim mavrisë! Megjithatë 25 prilli po vjen dhe Ilir Meta bashke me Saliun, do ta marrë përgjigjen për këtë spektakël dhunimi të qytetit nga kukulla e tyre Lulzim Basha e tufa e qorrave që turpëruan PD në sytë e Elbasanit dhe gjithë Shqipërisë”, shkroi Balla. /Euronews.al/