Përkundër thirrjeve të shumta nga institucionet shëndetësore që qytetarët të mbajnë distancë fizike dhe të vendosin maska mbrojtëse, kjo thirrje nuk po respektohet nga disa qytetarë të cilët po grumbullohen në vende të ndryshme.
Lexuesit e Telegrafit, kanë dërguar disa fotografi ku shihet se para dyerve të shkollës fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë, janë grumbulluar disa prindër, duke mos respektuar distancën fizike.
Për grumbullime të tilla Telegrafi ka raportuar edhe më parë, para institucioneve bankare si dhe para qendrave të regjistrimit civil.
Ndryshe, viti i ri shkollor ka filluar më 14 shtator, ndërsa nxënësit dhe mësimdhënësit janë të obliguar të mbajnë maska mbrojtëse.
Numri i qytetarëve që janë prekur nga coronavirusi në Kosovë ka arritur në 15 mijë e 142, 12 mijë e 674 janë shëruar kurse janë regjistruar 615 raste të vdekjes.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka njoftuar se raste aktive janë 1 mijë e 853./Telegrafi/