Qeveria e Maqedonisë së Veriut, e ka miratuar trasenë nëpër të cilën do të duhet të kalojë rruga e premtuar Tetovë-Prizren. Gjatësia e rrugës, sipas studimit të fizibilitetit i cili është bërë në vitin 2013-të, duhet të jetë 40.6 kilometra dhe do të lidhet me tunel prej 6.4 kilometra. Varianti i zgjedhur është më i shtrenjtë sesa ai që rekomanduan ekspertët të cilët e kanë bërë analizën e arsyetimit ekonomik. Ata kanë rekomanduar që traseja më e favorshme është varianti me tunel prej 3.2 kilometra, shkruan Portalb.mk.
Rruga Tetovë-Prizren, sipas vendimit të Qeverisë, duhet të fillojë prej Tetovës nga fshatrat Shipkovicë, Brodec, Veshallë dhe pastaj në drejtim të kufirit të Kosovës, këtu do të jetë dhe tuneli prej 6,4 kilometra, ndërkaq matanë Kosovës rruga duhet të vazhdojë nëpërmjet Manastiricës, Reçanit deri në Prizren.
Nga Ndërmarrja Publike Shtetërore Rrugët e Maqedonisë së Veriut për Portalb, njoftojnë se pas miratimit të trasesë është duke u punuar në programin për projektim.
“Lidhur me aktivitetet në lidhje me projektin për ndërtimin e rrugës Tetovë – Prizren, ju njoftojmë se pas miratimit nga ana e Qeverisë, në trasenë e rrugës Fakulteti i Ndërtimtarisë tashmë është duke punuar në programin për projektim”, thonë nga NPRRMV për Portalb.mk.
Nga ana tjetër, edhe Qeveria e Kosovës ka iniciuar hartimin e Planit të detajuar për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë.
“Me qëllim të zhvillimit të mëtejmë të marrëdhënieve miqësore me Republikën e Maqedoninë, ministria propozon miratimin e nismës për lidhjen e marrëveshjes së bashkëfinancimit për hartimin e projektit detal për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë”, ka thënë zëvendësministrja e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Linda Çavdarbasha, teksa propozoi miratimin e nismës në seancë qeveritare.
Kur do të fillojë dhe kur do të mbarojë ndërtimi i rrugës?
Të dyja palët kohëpaskohe deklarojnë se po ndërmarrin hapa të caktuar për këtë projekt, por asnjëra prej tyre nuk tregon atë që duan ta dinë qytetarët – kur do të fillojë dhe kur do të mbarojë ndërtimi i rrugës.
Funksionarët partiak të VV miratimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës e kanë kurorëzuar si “vazhdim të realizimit të premtimeve”, pavarësisht se këtij premtimi nuk dihet fillimi as fundi.
Nuk dihet me saktësi as se sa do të kushtojë e njëjta. Pala kosovare ka deklaruar se rruga në pjesën e tyre mund të kushtojë rreth 150 milionë euro, ndërkaq pala e RMV-së aspak nuk ka dhënë asnjëherë një shifër të caktuar.
Në mungesë të të dhënave konkrete, të dy shtetet kohëpaskohe “festojnë” miratimet e procedurave të ndryshme, të cilat do të duhet të ishin në prapavijë dhe ajo që duhet të shohin qytetarët janë makineritë ndërtimore në terren.
Ekspertët e arsyetimit ekonomik në studimin e fizibilitetit i rekomanduan Qeverisë së RMV-së variant ndryshe
Portalb.mk ka qasje në studimin e fizibilitetit dhe i ka analizuar variantet e trasesë se ku duhet të fillojë dhe të mbarojë rruga. Gjithsej ka pasur 6 variante, ekspertët kanë rekomanduar që të propozohen 3 dhe prej tyre të zgjedhet 1.
Në raportin kryesor për studimin e fizibilitetit i cili është punuar në vitin 2013-të, në pjesën e arsyetimit ekonomik thuhet se më 25 shkurt të vitit 2013-të është mbajtur një mbledhje mes përfaqësuesve të Ndërmarrjes Publike Rrugët Shtetërore të Maqedonisë, Komisionit për Revizion të Projektit, autorit të detyrës projektuese dhe përpunuesit e këtij studimi në të cilën është vendosur që të propozohen tre variante. Sipas analizës ekonomike të tre variantet kanë vlerë të lartë të IRR-së ose Normës së Brendshme të Kthimit (NPV).
Ekspertët kanë vlerësuar se varianti më i favorshëm është ai me tunel me gjatësi prej 3.2 kilometra dhe me lartësi mbidetare prej 1.520 metra, me IRR 25,556% dhe NPV 453,22•106€.
“Përparësi e variantit 2 në krahasim me variantin 3 e cila ka IRR 23,388 dhe NPV 414.44•106€ me tunel me gjatësi prej 1.8 kilometra dhe me lartësi mbidetare prej 1.732 metra, është lartësia mbidetare – mirëmbajtje e vështirë gjatë dimrit. Përparësia e variantit 2 në krahasim me variantin 1 e cila ka IRR 20,90% dhe NPV 424,32•106€ tunel me gjatësi prej 6,4 kilometra dhe lartësi mbidetare prej 1.194 është pasi që është shumë i shtrenjtë”, thuhet në analizën e arsyetimit ekonomik në studimin e fizibilitetit.
Por pavarësisht rekomandimeve, të ekspertëve, Qeveria, prej tre varianteve, e ka miratuar më të shtrenjtin, gjegjësisht me tunelin më të gjatë.
Në analizë gjithashtu thuhet se kostoja finale e rrugës do të rritet për 3.5% deri në 4% pasi që në studim nuk është përfshirë ndërtimi i pikës së re kufitare mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovë dhe të gjitha objektet e nevojshme bashkë me çështjet teknike dhe infrastrukturore.
Ata e kanë miratuar vitin 2014-të, si vit të parë për ndërtim, ndërkaq vitin 2018-të, vit të parë për eksploatim, gjegjësisht shfrytëzim, pavarësisht se cili variant do të zgjedhet.
BDI rrugën Tetovë-Prizren e premtoi në katër palë zgjedhje parlamentare
Pavarësisht se rruga do të duhej të fillonte në vitin 2014-të dhe të mbaronte në vitin 2018-të, partia shqiptare në pushtet, BDI ndër vite ka premtuar realizimin e të njëjtës. Portalb.mk, ka bërë një përmbledhje të premtimeve, ndër vite edhe pse kjo parti i ka fshirë programet me premtime parazgjedhore nga ueb-faqet:
Programi “Bashkë drejt qëllimit”, 2011
“Rruga Tetovë-Prizren. Studim fizibilitet për të analizuar mundësinë e një rruge të re që mund të lidhë këto dy vendbanime dhe arsyeshmërinë ekonomike”.
Programi zgjedhor 2014
Rruga Tetovë-Prizren. Studimi i parë i fizibilietit për këtë rrugë ka përfunduar. Bazuar në rezultatet e studimit do të shqyrtohen alternativat më të arsyeshme ekonomike, në bashkëpunim me Kosovën.
Zgjedhje 2016 – Në programin parazgjedhor të BDI-së për zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, në pjesën “Transport” (faqe 3), është premtim i dhënë për ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren.
Programi i BDI-se zgjedhje parlamentare 2020:
Rruga Tetovë – Prizren. Ky projekt do të jetë në vlerë prej 40 milion-60 milion euro, mjete që do të sigurohen nga buxheti i shtetit dhe Banka Botërore. Realizimi i këtij projekti do të ketë një ndikim të madh në zhvillimin ekonomik të zonës, shkëmbimin tregtar në mes dy vendeve, qasjen më të shpejtë për dalje në det (porti i Lezhës dhe i Durrësit), zhvillimi i turizmit në Kodrën e Diellit, etj.
Premtime nga të gjitha anët
Ndryshe, më 17 shtator të vitit 2021 kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, Zoran Zaev dhe Albin Kurti nënshkruan “Memorandum për Mirëkuptim” në lidhje rrugën e premtuar Tetovë-Prizen, e cila tani e dhjetë vite po premtohet. Portalb.mk, siguroi dokumentin origjinal të memorandumit, i cili i përmban 6 nene.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kandidatin e Vetëvendosjes për kryetar të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka (i cili nuk i fitoi zgjedhjet) më13 nëntor gjatë fushatës parazgjedhore e publikuan një video në të cilën e kanë prezantuar projektin për rrugën Prizren – Tetovë, ndërkaq kanë premtuar që brenda 2-3 vitesh do të mbarojë tërësisht.
“Bashkë me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, jemi dakorduar që sivjet ta projektojmë rrugën, ndërkaq vitin e ardhshëm ta realizojmë atë në tërësi. Kismet pas dy ose tre vjetësh, do të udhëtojmë së bashku prej Prizrenit në Tetovë, ashtu veç për kafe”, premtoi Kurti.
Më 28 nëntor të vitit 2021, në një intervistë për Portalb.mk, drejtori i NP Rrugët e Maqedonisë, Ejup Rustemi deklaroi se afati për fillimin e punimeve do të jetë i lidhur ngushtë me variantin që cila do të propozohet dhe aprovohet nga Qeveria e RMV-së, pasi Komisioni i ngritur për këtë projekt të marrë vendim-propozimin përkatës. Pason shpallja për përzgjedhjen e Projektit Ideor dhe pastaj përpilimi i Projektit Infrastrukturor dhe bazik.
Pas largimit të Zaevit nga pozita e kryeministrit, pasardhësi i tij, Dimitar Kovaçevski, në takimin me ambasadorin e Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florijan Qehaja, në muajin gusht paralajmëroi që deri në fund të vitit 2022 do të ketë edhe një mbledhje ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Por, kjo mbledhje ende nuk është mbajtur.
Sa i takon rrugës Tetovë – Prizren, për këtë në “Bombën 38” të publikuar në mesin e qershorit të 2015-s, ish-zëvendësi i ministrit të Transportit dhe Lidhjeve të Maqedonisë Tahir Hani nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim u dëgjua duke kërkuar nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti që të intervenojë te ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski nga radhët e VMRO-DPMNE-së i cili nuk kishte dashur të dëgjojë për përgatitjen e fizibilit studimit, premtim parazgjedhor i vetë Ahmetit.
Aktualisht prej Tetovës në Prizren, rruga është 109 kilometra, ndërkaq me rrugën e re parashikohet të shkurtohet për 69 kilometra.