Site icon Telegrafi

Përkundër pandemisë, Kosova eksporton 70 milionë euro më shumë mallra

Përkundër efekteve negative që ka pasur pandemia në ekonominë vendore, eksportet e produkteve të prodhuesve kosovarë kanë shënuar rritje.

Shifrat e mallrave të eksportuara nga Kosova këtë vit janë ngritur. Sipas zëdhënësit të Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, eksportet janë rritur për një vlerë prej rreth 21 përqind.

“Derisa vitin e kaluar deri në muajin nëntor kemi pasur 324 milionë euro eksporte, sivjet eksporti i produkteve kosovare drejta vendeve të ndryshme ka arritur në rreth 400 milionë euro. Nëse kjo pasqyrohet në përqindje i bie që kemi rreth 21% më shumë produkte të eksportuara apo 70 milionë euro më shumë vlerë…Importi i produkteve të huaja gjatë këtij viti si pasojë e rënies së konsumit ka rënë. Në vitin e kaluar deri në këtë periudhë kemi pasur rreth 4 miliardë importe, derisa sivjet kemi rreth 3.8 miliardë. Pra kemi ulje të importeve për rreth 200 milionë euro”, tha Stavileci për RTV Dukagjinin.

Hulumtuese nga Instituti Riinvest, Visar Hoti thotë se në rritjen e eksportit mund të kenë ndikuar disa faktorë.

“Mund të them se ndoshta Kosova ka arritur të plotësojë ndonjë boshllëk në tregun evropian, që nuk kanë mundur ta plotësojnë blloqet tjera me të cilat bënë tregti Evropa, ose ndodha ne kemi qenë më kompetitiv me prodhuesit tjerë gjatë kësaj periudhe”.

Statistikat tregojnë se Kosova blenë dhjetëfish më shumë mallra se sa që shet në shtetet tjera./Telegrafi/

Exit mobile version