Site icon Telegrafi

Përkujtohet gjeneral Shaban Shala në 7-vjetorin e vdekjes

Familjarë, miq e bashkëluftëtarë kanë bërë sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve në Prishtinë pranë varrit të njërit nga komandantët e UÇK-së, gjeneralit Shaban Shala, në përkujtim të 7-vjetorit të vdekjes së tij.

Deputeti Bekim Haxhiu, tha se Shaban Shala ishte një ndër bashkëluftëtarët më të çmuar të UÇK-së, i cili tërë jetën ia kushtoi atdheut.

Haxhiu po ashtu tha se me formimin e Ushtrisë së Kosovës, e përmbushën amanetin edhe të Shaban Shalës.

“Sot pranë varrit të Shabanit, përveç që kemi ardhur ta nderojmë, kemi ardhur t’i tregojmë se ajo për çka është punuar dhe ka punuar edhe ai tërë jetën e tij, Ushtria e Kosovës, sot është ushtri me kapacitete të plota ashtu si e dëshironte gjeneral major Shaban Shala, ashtu si e deshën Adem Jashari dhe gjithë dëshmorët e vendit, të cilët ranë për lirinë e atdheut”, ka thënë Haxhiu, raporton KP.

Ndërsa, në emër të familjes, foli Xheladin Shala, djali i gjeneralit të ndjerë Shaban Shala, i cili në emër të familjes tha se pjesëmarrja e njerëzve në këtë përvjetor, po i nderon ata.

“Në emër të familjes, ju falënderoj shumë, përzemërsisht, që gjetët kohë të na nderoni, ta nderoni babain tonë, gjeneral major Shaban Shalën, të na nderoni edhe neve si familje”, ka thënë Shala.

Të pranishëm gjatë homazheve ishin edhe Rifat Jashari e Ramiz Lladrovci.

Përndryshe, Shaban Shala, me prejardhje nga Drenasi ishte komandant në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Ai vdiq më 5 janar të vitit 2012 nga një sëmundje e rëndë, ndërkaq është nderuar me titullin “Hero i Kosovës”. /Telegrafi/

Exit mobile version