Në ditën ndërkombëtare të përkujtimit të viktimave të Holokaustit, udhëheqësit e Maqedonisë së Veriut, kanë përkujtuar dëbimin e 7 mijë hebrenjve nga Shkupi, Manastiri dhe Shtipi në vitin 1943, drejt kampit të përqendrimit në Treblinka.
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, gjatë akademisë përkujtimore të organizuar nga Akademia e Shkencave, kushtuar viktimave të Holokaustit, tha se kjo ngjarje ishte një tragjedi kolektive që sipas tij ende është e freskët në kujtesën e qytetarëve të vendit dhe të gjithë atyre që kanë shpëtuar familjet hebraike dhe atyre që u kanë mbijetuar tmerreve të Holokausitt.
“Obligimi ynë politik dhe moral është ta ruajmë të vërtetën e Holokaustit, me qëllim që kjo tragjedi të mos përsëritet më. Obligimi ynë është që me të gjitha forcat të luftojmë antisemitizmin, mohimin dhe tentimet për të shtrembëruar të vërtetën e Holokaustit”, tha Spasovski.
Ndërkaq, kryetarja e minoritetit hebre në Maqedoni të Veriut, Berta Romano-Nikoliq ka theksuar se duhet mësuar leksioni i hidhur që solli Holokausti, që të mos përsëritet më një tragjedi e tillë.
“Vetëm përkujtimi dhe empatia ndaj ngjarjeve të Holokaustit nuk e parandalojnë rilindjen e sërishme të tmerrit të quajtur Holokaust”, tha Romano-Nikoliq.
Kryetari i Akademisë së Shkencave të Maqedonisë së Veriut, Lupço Kocarev ka kujtuar shuarjen e lagjeve të tëra të populluar me hebrenj në shumë qytetet të Maqedonisë së Veriut.
“Për fat të mirë, në Maqedoninë e Veriut ka mbijetuar identiteti hebraik edhe pse në territorin e Maqedonisë së Veriut, mbi 98 për qind e hebrenjve ishin likuiduar”, tha Kocarev.
Ndërkaq, Skender Asani, drejtor i Institutit për Trashëgimi dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, tha për Radion Evropa e Lirë thotë se institucionet shtetërore dhe shkencore në vend, për 75 vjet nuk kanë hedhur dritë ndaj një fakti të rëndësishëm, atë se ishin shqiptarët ata që i shpëtuan nga deportimi familjet hebraike, duke i nisur për në Kosovë dhe Shqipëri.
“Para një dekadë u hap muzeu i Holokaustit këtu, por për fat të keq edhe ky institucion nuk e luajti rolin e duhur në zbardhjen e shumë ngjarjeve të cilat kanë ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Kjo shtroi nevojën për krijimin e një departamenti të veçantë në kuadër të Institutit për trashëgimi kulturore dhe Shpirtërore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, që është i thirrur, që në aspektin edukativ dhe hulumtues të nxjerrë në pah gjithë atë që ka ndodhur gjatë Luftës së Dytë Botërore me hebrenjtë këtu në Maqedoni të Veriut”, thotë Asani.
Ai bën të ditur se në saje të bashkëpunimit të institucionit që drejton dhe muzeut të Holokaustit në Uashington janë duke u publikuar shumë libra, memoare dhe faktografi rreth të vërtetës së fatit të familjeve hebraike gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe rolit të shqiptarëve në këtë drejtim./REL/