“Kujtesa jonë duhet ta zgjojë vëmendjen e secilit njëri, edhe fqinjëve tanë, sidomos të serbëve që mos të ua trazojnë plagët ende të freskëta shqiptarëve, por t’i respektojnë vuajtjet e tyre”. Kështu tha kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në 20-vjetorin e eksodit të kosovarëve përmes Bllacës.
Me organizim të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, të mërkurën është vënë edhe gur-themeli i Muzeut të gjenocidit serb “Bllaca 99”, në fshatin Bllacë të Komunës së Hanit të Elezit.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se i vejnë gur-themelin një shtëpie qe i zë kujtimet e shqiptarëve, me shpresë që ndjekjen nga toka e vet nuk do ta përjetojë më askush.
Ai tha se muzeu do të jetë shtëpie e kujtesës kolektive ku do të vijnë breza për të mësuar sa e shtrenjtë është liria dhe sa dhembje sjell rruga deri në liri.
“Pushtuesi është mësuar një shekull të marrë tokë nga shqiptaret dhe kur u shfaqë UÇK populli e rizbuloi forcën e tij mos me dhanë më tokë, duke u rreshtuar në luftën për liri dhe dinjitet dhe regjimi i Millosheviqit duke e ndje fundin e vet nisi fushatën e mizorive për të marrë sa me shumë jetë nga shqiptarët. Por bota e lirë e prirë nga Amerika ja mbylli rrugën me drejtësi kësaj mizorie për ta rikthyer shpresën. Kosova u rikthye në historinë gjeopolitike të botës, Kosova e ngrit këtë muze edhe si falënderim të përjetshëm botës demokratike, atyre që ndan drejtësi. Sot kujtesa jonë duhet ta zgjojë vëmendjen e secilit njeri, edhe fqinjëve tanë, sidomos të serbëve që mos të ua trazojnë plagët ende të freskëta shqiptarëve, por t’i respektojnë vuajtjet e tyre. Liria e Kosovës në themelet e veta e ka emrin e secilit refugjat”, tha ai.
Haradinaj shtoi se ky muze flet kundër mizorisë së njeriut ndaj njeriut.
“Në respekt dhe përkujtim të vuajtjeve por edhe të rezistencës së refugjatëve kosovarë, po e ngrisim këtë qendër përkujtimore të gjenocidit serb në Kosovë, pra ‘Bllacën 99’. Shtëpi qe flet me zërin e ndërgjegjes kundër harresës, ky duhet të jetë një muze botëror, i gjithëkohshëm që flet kundër mizorisë së njeriut ndaj njeriut”, tha ai.
Ai falënderoi të gjithë bashkëkombësit, dhe miqtë ndërkombëtarë për ndihmën që u dhanë shqiptarëve 20 vjet më parë, ku i pritën dhe i ndihmuan si refugjatë.