Site icon Telegrafi

Përkujtohet aktori ferizajas, Misret Halili

Në një akademi kushtuar jetës dhe veprës së tij, është thënë se Misreti ka qenë një aktorë me potencë të lartë skenike e krijuese, një aktor i rrallë me një të folur skenike aq të pastër sa që ja kanë pasur lakmi edhe aktorët më me nam.

Fahri Hysaj e Haqif Mulliqi, kanë sjellë momente nga puna e përbashkët në teatër, ndërsa një biografi të plotë të tij para të pranishmëve e ka sjellë shoku i tij i ngushtë, miku e bashkëvendasi, Rrahim Sadiku, duke e portretizuar figurën e tij, si të një njeriu që ka lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në teatër, por edhe në arsimimin dhe edukimin e gjeneratave të tëra.

Edhe shoku i klasës dhe kolegu i tij, mësuesi Musa Limani, ka sjellë momente të një rrugëtimi të përbashkët jetësor që nga bankat e shkollës fillore e deri te puna e përbashkët në arsimimin e brezave.

Kompozitori i mirënjohur, Fahri Beqiri,ka folur për përvojën e mirë që ka pasur me Misretin në përgatitjen e shumë ngjarjeve kulturore duke përmendur Festivalin "Kosovarja këndon", ndërsa u ka përkujtuar të pranishmëve, se ishte ai që për të fundit herë u nda nga Misreti, pas premierës së dhënë në Gjilan me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Shqipërisë, ku Misreti në mënyrë brilante kishte luajtur rolin e Ismail Qemalit.

Ndryshe, gjatë leximit të biografisë së aktorit tashmë të të ndjerë, Misret Halili, i gjatë ka qenë vargu i roleve të tija në skenën e teatrit e të filmit.

Misret Halili u nda nga jeta pas një sëmundje të shkurtër në moshën 59 vjeçare. /KP/

Exit mobile version