Sot, me homazhe dhe nderime, në “Lëndinën e lotëve” në Malishevë, ku edhe janë të varrosur 15 maturantët e gjimnazit të Malishevës, të cilët 17 vjet më parë humbën jetën tragjikisht në Fushë Arrëz të Shqipërisë, janë përkujtuar nga familjarët, gjimnazi “Hamdi Berisha”, zyrtarë komunalë, përfaqësues të subjekteve politike, ish gjimnazistët e gjeneratës dhe qytetarë të shumtë.
17 vjet më parë, autobusi me maturantë të gjimnazit “Avdyl Frashëri”, tani gjimnazi “Hamdi Berisha”, është aksidentuar në Fushë Arrëz, përderisa po ktheheshin nga ekskursioni në Shqipëri, dhe në këtë aksident, 15 maturantë kishin humbur jetën dhe ishin lënduar dhjetëra të tjerë.
Më 14 tetor 2004, autobusi me maturant, gjimnazist, ishte aksidentuar në Fushë Arrëz, dhe në këtë aksident, kanë humbur jetën: Berat Suka, Esat Hajrullahu, Elgadaf Zabelaj, Mifail Morina, Rifat Hoxha, Xhevdet Sertolli, Visar Kafexholli, Agron Berisha, Ajet Rrahmanaj, Esat Rexhaj, Labinot Morina, Lulzim Kastrati, Megzon Sadiku, Rruhi Ulluri dhe Xhevdet Sahitaj.
Të gjithë maturantët, janë të varrosur në “Lëndinën e lotëve” afër varrezave të lagjes së Gurit në Malishevë, ndërsa në nderim të kësaj tragjedie, është ndërtuar një lapidar në vendin ku janë të varrosur, ndërsa shteti shqiptar, në vendin e ngjarjes, ka ngritur një obelisk në shenjë nderimi të 15 maturantëve. /kp/