Site icon Telegrafi

Përkthyesi komandove shqiptare në Afganistan: Më ndihmoni, s’meritoj të vritem nga Talebanët

Kaosin ku është përfshirë Afganistani pas largimit të ushtrisë amerikane dhe frikën që po mbjellin çdo ditë Talebanët tek bashkëpunëtorët e ushtrive të NATO-s, e sjell një tjetër përkthyes afgan, i cili ka ndihmuar misionet ushtarake shqiptare atje.

I dëshpëruar nga situata që ndodhet ai apelon për ndihmën tek autoritetet shqiptare.

“Unë kam punuar për dy vite e gjysmë me djemtë shqiptarë. Njëri prej tyre ishte në rrolin e komandantit drejtues për mua. Unë u siguroja informacione që ata të ishin të sigurt. Ne ishim në Kabul, por informacioni kishte të bënte për zona të ndryshme dhe vinte nga burime të ndryshme për të parandaluar sulmet ndaj ushtarakëve shqiptarë dhe të tjerëve anëtarë të NATO-S”, tha si për TopChannel.

Përkthyesi komandove shqiptare na tregon si është duke i përjetuar këto ditë nën pushtetin e Talebanëve.

“Është një situatë katastrofike. Talebanët janë kudo. Unë nuk mund të dal nga shtëpia për të blerë ushqime apo për të bërë diçka tjetër. Jam i bllokuar në shtëpi. Nuk kemi energji elektrike. Nuk kemi asgjë. Është kaos. Ne patëm disa ushqime në formë rezerve nga java e shkuar dhe atë jemi duke përdorur për momentin”.

Përmes Top Channel ai bën këtë apel për miqtë e tij ushtarakët shqiptarë dhe qeverinë e e vendit tonë.

“Unë i kërkoj të më nxjerrin nga këtu. Ne i ndihmuam ata në kohë të vështira duke i shpëtuar jetën. Tani është koha të na shpëtojnë jetët tona. Nëse Talebanët do të më kapin ata nuk do të kursehen të më vrasin mua bashkë me familjen, e gjitha kjo si pasojë e punës që kam bërë. Nuk kanë mëshirë për asnjë. Nëse më gjejnë mua, si një person që ka punuar për amerikanët dhe shqiptarët jeta ime merr fund. I apeloj shqiptarëve. Ju lutem më ndihmoni. Ju kam ndihmuar në kohë të vështira. Ne nuk e prismin që Kabuli të binte në duart e Talebanëve kaq shpejt. Unë isha duke punuar dhe papritur dëgjova që Talebanët mbërritën në Kabul. Që prej atij momenti s’kam dalë nga shtëpia. Jeta ime është në rrezik. Kam dy fëmijë. Bashkë me gruan jemi afër vdekjes. Unë bashkë me gruan dhe dy fëmijët tanë nuk e meritojmë të vritemi nga Talebanët. A besoni se do të jetë një gjë e mirë që ne të vdesim në duart e Talebanëve duke na prerë kokat? Ju lutem ju lutem na ndihmoni ti mbijetojmë kësaj situate”.

Zëdhënësi Talebanëve Zubiullah Mujahid dy ditë më parë premtoi amnisti për bashkëpunëtorët e amerikanëve por përkthyesi afgan shpjegon pse kjo nuk është e vërtetë.

“Ekzaktësisht unë nuk besoj në këtë pasi ata së fundmi kanë vrarë dy përkthyes dhe po kërkojnë shtëpi më shtëpi të gjejnë se kush ka punuar me të huajt. Talebanët këto ditë kanë vrarë dy komando afganë, përfshi të tjerë që kanë punuar për qeverinë. Nuk e besoj atë çfarë talebanët thonë pasi nuk do ti qëndrojnë atyre gjërave që thonë. Do të hakmerren”, tha ai. /tch/

Për të ndjekur intervistën klikoni KËTU

Exit mobile version