Drejtori i Sportit, z. Fitim Rexha, ka takuar me radhë klubet sportive të Kryeqytetit, për t’u njoftuar nga afër me problemet e tyre, dhe për të gjetur bashkërisht zgjidhjet.
Drejtoria e Sportit ka për synim masivizimin dhe ngritjen e cilësisë në sport, duke ofruar përkrahje të vazhdueshme për klubet, shoqatat dhe individët me aftësi të posaçme kreative, me transparencë të plotë dhe pa kurrfarë diskriminimi.
Në kuadër të kësaj, për vitin e ardhshëm është dyfishuar buxheti për subvencionimin e sportit në Prishtinë.
Komuna pret nga aplikuesit për subvencione seriozitet më të madh në prezantimin e projekteve të tyre, si dhe do të kërkojë llogaridhënie për buxhetin e shpenzuar.
Përgjatë këtyre takimeve u fol edhe për përzgjedhjen e sporteve të vitit, si dhe për mundësinë e plotësim-ndryshimeve të kritereve për subvencionim konform rregullores në fuqi.
Komuna e Prishtinës, përmes Drejtorisë për Sport, është e angazhuar që të krijojë kushte sa më të mira për sportistet dhe sportistët e Kryeqytetit, dhe ka në plan të shtojë investimet për të përmirësuar infrastrukturën e këtij sektori të veçantë.