Latif Mehmeti, kryetar i Shoqatës së të Zhdukurve “Përkorë” Podujevë përmes një komunikate për media theksojnë se me vizitat dhe përkuljet e Presidentit të vendit para lapidarëve të vrarëve serbë nuk zgjidhet çështja e të zhdukurve.
Në reagim thuhet se kohëve të fundit presidenti i Republikës së Kosovës, i shoqëruar nga zyrtarë të lartë shtetërorë, po bëjnë homazhe dhe po përkulen para lapidarëve të serbëve të vrarë gjatë luftës së fundit në disa vendet të Kosovës.
“Dhe tërë ky turne i homazheve presidenciale nëpër pllaka e lapidarë të serbë të vrarë, madje edhe në rrethana të pasqaruara siç është ai i rastit ‘Panada’ në Pejë, me të drejtë ka zgjuar edhe reagime të qytetarëve e veçmas të familjeve të personave të zhdukur gjatë luftës. Krahas vizitave e përkuljes pranë lapidarëve të serbëve të vrarë, presidenti shfrytëzon rastin edhe të përmend pajtimin në mes serbëve dhe shqiptarëve. Dhe këtë pajtim synon ta fillojë mbi kurrizin dhe fatkeqësinë e kategorisë së qytetarët që pësuan më së shumti në luftë, e këto janë familjet e të zhdukurve”, thuhet në reagim.
“Pa dashur të nënçmoj edhe vuajtjet e dhimbjen e familjeve të serbëve të zhdukur, opinionit duhet t’i bëhet me dije se janë pikërisht serbët dhe aparati i tyre shtetëror i Serbisë i instaluar në veriun e shtetit, president i të cilit është Thaçi, që edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës nuk po lejojnë hapjen e varrezave të dyshuara në Mitrovicë. Zvarritet me vite hapja e varrezave masive nëpër Serbi. Pra janë serbët ata që pengojnë zbardhjen e fatit të të zhdukurve”, thuhet në reagim.
Sipas tij, presidenti duhet ta dijë se me vizita dhe përkulje para lapidarëve të serbëve të vrarë, Serbia kurrë nuk do të lejoje zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Ai më tej shton se me këtë veprim, duke u përkulur para pllakave ku UÇK-ja cilësohet si organizata terroriste, Presidenti sikur po pranon mbi supe fajësinë për viktimat serbe dhe kjo sipas tij është skandaloze.
“Mund edhe ta kuptojmë presionin ndërkombëtar ndaj institucioneve të Kosovës, por nuk mund të kuptohet e as arsyetohen veprimet e udhëheqësve tanë shtetëror, të cilat mbyllin sytë përballë krimeve serbe. E harruan gjenocidin mbi popullatën e tyre. Vrasjet, kidnapimet, dhunimet, të zhdukurit (ende nuk është zbardhur fati 99 fëmijëve shqiptarë të zhdukur gjatë luftës). Serbia dhe zyrtarët e saj shtetëror, asnjëherë nuk i përmendën krimet e kryera nga aparati i tyre shtetëror. Asnjë zyrtar serb nuk u përkulë para varreve të shqiptarëve të vrarë. As nuk pranuan përgjegjësinë”, thuhet më tej. /Telegrafi/