Site icon Telegrafi

Përkeqësohet moti në Shkodër, bllokohet rruga në Postribë

Përkeqësimi i motit gjatë ditës së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm kanë shkaktuar problemet e para në qarkun e Shkodrës.

Në një njoftim të Bashkisë së Shkodrës, bëhet e ditur se si pasojë e reshjeve të dendura të shiut ka pasur rrëshqitjeve të dherave dhe gurëve në segmentin rrugor Mes – Ura e Shtrenjtë në Njësinë Administrative të Postribës.

“Bashkia Shkodër përmes firmës kontraktore ka nisur punën për pastrimin e dherave e gurëve, që sa më parë kjo rrugë t’i kthehet normalitetit në qarkullim. Ftojmë banorët e zonës dhe udhëtarët të tregojnë kujdes gjatë lëvizjeve në këtë segment rrugor”, thuhet në njoftim.

Bashkia ka shtuar gjithashtu se dëme ka pasur në këtë njësi edhe në kanalin vaditës ku po bëhen verifikimet përkatëse për të nisur më pas riparimet.

Më herët Drejtoria e Përgjithshme Detare ka bërë thirrje për rritjen e gatishmërisë të mjeteve lundruese për shkak të motit të keq që ka përfshirë vendin.

Ndërkohë mësohet se bregdeti do të përfshihet nga era në drejtimin Jug-Jug Perëndim në forcën 6-7 bft deri 8bft 15-25m/s dhe lartësi dallge nga 1.80 deri 3.50 metra. Përmirësimi i kushteve hidrometeorologjike pritet pas orës 06:00 të ditës së nesërme. /Telegrafi/

Exit mobile version