Përkeqësohet gjendja me rastet e reja Covid 19 në Tetovë. Gjatë ditëve të kaluara dukshëm janë shtuar kontrollet ambulantore dhe thirrjet në repartin e Ndihmës së Shpejtë. Mjekët theksojnë më të atakuar janë personat e moshës mbi 50 vjeçare, të pavaksinuarit, por nuk mungojnë edhe pacientët të cilët janë të vaksinuar por që e kalojnë më lehtë virusin. Mjeku Besnik Mustafai, thekson se dukshëm janë shtuar kontrollet edhe në ndihmën e shpejtë. “Për fat të keq jemi dëshmitarë të një rritje të numrit të rasteve pozitive në Tetovë. Në Repartin e Ndihmës së Shpejtë këtu në Tetovë dukshëm janë rritur thirrjet për rastet pozitive të pacientëve që janë të infektuar me Covid-19, gjegjësisht të rasteve që kanë komplikime dhe që duhet të transferohet në qendrën Covid-19. Kemi të bëjmë me pacientë të moshës mbi 50 apo 60 vjeçare, kryesisht të pavaksinuar por ka edhe pacient të vaksinuar me dy doza, por në gjendje klinike më të lehtë”, thotë mjeku Besnik Mustafai.
Kjo ndoshta është edhe periudha më e rëndë e vitit, pasi që është prezent edhe gripi sezonal. “Jemi në një periudhë kur kemi edhe gripit sezonal apo të influencës mirëpo të rastet me Covid-19, tek këta pacient kemi rritje të shpejtë të temperaturës, plogështisë, humbjes së shqisës së nuhatjes, kollitje dhe shenja tjera, ndërsa tek gripi sezonal simptomat janë më të lehta. Por, tek pacientët më të moshuar menjëherë bie niveli i oksigjenit dhe të njëjtit transportohen në Spitalin Klinik të Tetovës për trajtim të mëtejshëm, normalisht që kanë simptoma në virusit Covid-19”, thotë Mustafai për gazetën KOHA.
Mjekët thonë se ndodhemi në një fazë shumë të rëndë për dallim nga e kaluara. “Realisht jemi në një fazë të rëndë, pasi që ndryshimi vërehet menjëherë sepse ankesat fillestare vijnë tek ndihma e shpejtë, për shkak se rritet intensiteti i thirrjeve dhe rasteve të transportimit të personave me Covid-19. Këto pesë ditët e fundit është një rritje e dukshme, Spitali Klinik i Tetovës i ka kushtet dhe është i gatshëm t’i pranojë ata pacient që kanë nevojë për trajtim spitalor. Brenda një orari kemi 8 deri në 10 thirrje ku ndihmë e shpejtë intervenon në teren kurse ndihmë brenda 12 orëve në objektin e ndihmës së shpejtë kërkojnë mbi 150 pacient”, deklaroi mjeku Mustafai. Ai ka apeluar që qytetarët të mos keqpërdorin numrin 194 sepse shpeshherë thirrjet e panevojshme komplikojnë intervenimet në rastet që vërtet kanë nevojë për shërbimet tona. Sipas informacioneve të fundit në Tetovë vazhdon të jetë i ulët numri i personave që marrin dozën e parë të vaksinës, kurse ka shtim të interesimit për dozën e tretë. (koha.mk)