Telegrafi

Përkeqësimi i motit në Shqipëri, Rama: Të gjitha strukturat shtetërore në terren për të siguruar normalitetin

Të gjitha strukturat shtetërore janë në terren për të siguruar kthimin në normalitet, në kushtet e përkeqësimit të motit në Shqipëri.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale momente nga puna që po kryhet për të garantuar qarkullimin e mjeteve në të gjitha akset rrugore dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve për çdo problematikë të krijuar nga reshjet.

Lexo po ashtu Reshje të dendura shiu përfshijnë Shqipërinë, rrezik për përmbytje

Rama u bëri apel drejtuesve të automjeteve që të evitojnë lëvizjet e panevojshme dhe të respektojnë me përpikëri rregullat e qarkullimit rrugor.

Policia e Shtetit, për shkak të situatës së krijuar nga moti i keq, ka kaluar në gatishmëri në të gjithë vendin, për t’iu ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve dhe qytetarëve, në rast nevoje për ndihmë, si dhe për të menaxhuar trafikun rrugor.

Për shkak të reshjeve të dendura të shiut, në rrugët urbane dhe interurbane ka prezencë të shtuar të ujit, që krijon vështirësi në qarkullimn e mjeteve dhe të këmbësorëve, ndaj Policia e Shtetit apelon për drejtuesit e mjeteve që të moderojnë shpejtësinë dhe të ruajnë distancën e sigurisë me mjetet e tjera në rrugë. /Telegrafi/