Sikundër është e njohur, paragjykimet nuk janë asnjëherë të drejta. Por, ka premisa mbi të cilat ato thuren, madje me tendencën që ato të shndërrohen arbitrarisht në kritere të vetme legjitime të vlerësimit. A jetojmë ne sot në botën e përkatësive të paragjykuara?
Allan Hoffenblum, një analist i njohur politik në Kaliforni, i cili ka qenë edhe menaxher i njërës nga fushatat e republikanëve në Shtete e Bashkuara të Amerikës, dha një deklaratë rrëqethëse për “The Washington Post”. "Në një pjesë të madhe të shtetit Partia Republikane është krejtësisht e parëndësishme", tha ai, duke iu referuar përkrahjes për republikanët sidomos në Kaliforni. Madje, ai nuk hezitoi ta jepte edhe vlerësimin që buron po nga ky konstatim: "Kjo nuk është më parti e shtrirë në të gjithë vendin."
Premisa nga e cila niset për këtë konstatim z. Hoffenblum janë proceset zgjedhore nga viti 1988 dhe pafuqia e republikanëve e shprehur me numrin e përkrahësve të kësaj partie, e cila sikur thuhet ka rënë në 31 për qind!
Në një paralele të vetme me lëvizjet në skenën politike të Kosovës, sado herët për të ofruar parametra të qartë për zgjedhjet, mund të konstatojmë që tani se ky proces dëshmoi për disa gjëra specifike.
Së pari, procesi zgjedhor dëshmoi edhe një herë se skena politike në Kosovë është duke u rikonfiguruar, por se tendenca për të krijuar blloqe politike të mbështetura në ideologji është ende e ndërlidhur me strategjitë mediale para se politike. Ajo synon komunikimin e fuqishëm për ideologjinë pa e përfshirë ideologjinë e qytetarit në raport me politikat. Këtu hyn në lojë pritja!
Së dyti, zgjedhjet dëshmuan se hartimi i politikave nacionale është interes po kështu nacional dhe se përcaktimi për t’ia nënshtruar ideologjinë partiake asaj nacionale nuk është sprova më e guximshme politike në Kosovë. Arsyet dihen!
Së treti, procesi dëshmoi se hartimi i platformave zgjedhore duhej të ishte derivat i komunikimit esencial me votuesin, por po kështu duhej të mbështetej në vlerat e përbashkëta. A ka ndodhur kjo?
Së katërti, votimi pothuajse me inercion për liderët lokalë të shndërruar në liderë nacionalë, ose për parti nacional që duken sikur janë shndërruar në parti lokale është derivat i një mënyrë të komunikimit në shoqëri. Ai buron nga trashëgimia historike, por edhe nga substanca regjionale. Kjo e përbën hartën e re politike të Kosovës.
Së pesti, përcaktimi për politikat nuk u përputh shumë herë me përcaktimin për resurset, dhe kjo të kthen te koncepti themeltar për ndërtim sistemi të brendshëm i cili prodhon politika të mëdha në hartën nacionale. Hoffenblum e kishte parasysh sistemin e brendshëm ideologjik, prandaj thërriste për krijim copëzash historie sikur ato të ishin hartë e ideve.
Tani nëse këto premisa politike të Kosovës i rikthejmë në mozaikun e kërkimeve të z. Hoffenblum për debatin për republikanët (konservatorët), debati do të përkthehej si tendencë për t’i diskutuar mbi të gjitha vlerat e përbashkëta tradicionale dhe shndërrimin e tyre në strategji e cila i përfill vizionin dhe vlerat.
Nëse mungesa e vizionit, përcaktimi për politika jogjithpërfshirëse ose, sikundër ndodhi jo rrallë në vendimet politike për zgjedhjet, përcaktimi jo krejtësisht i matur për kandidatët, janë premisa që ndikojnë në suksesin e partive në zgjedhjeve, është po kështu e qartë se mosshtrirja në disa pjesë të vendit nënkupton humbje të kredibilitetit në kartën më të vlefshme: atë nacionale. Tashmë e kemi të vizatuar një hartë të pjesshme, me vija ndarëse në mes. Aty shihen vetëm disa ngjyra dhe një tendencë.
Por, mos jemi thelluar tashmë edhe ne në botën e paragjykimeve? Mbase. Këtë, sidoqoftë, do ta dëshmojë shumëfish përkrahja për konservatorët ose demokratët (a socialdemokratët) në zgjedhjet e ardhshme nacionale. Hoffenblum do të thoshte se premisat ekzistojnë…