Site icon Telegrafi

“Përjetë bashkë”, tubim në Shqipëri në mbështetje të Kosovës

Përfaqësues të shoqërisë civile dhe personazhe të njohur publik në Shqipëri kanë njoftuar sot mbajtjen e një tubimi në mbështetje të Kosovës përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë.  

Organizimi i paralajmëruar sot (16 qershor) në orën 19:00 lidhet me situatën e tensionuar që është krijuar në veri të Kosovës, ku së fundi janë rrëmbyer tre policë nga forcat serbe.

Posteri me thirrjen “Dje, sot, nesër, përjetë bashkë” ka qarkulluar dy ditët e fundit në rrjetet sociale.

Një prej personave që ka bërë thirrje për tu mbledhur në Tiranë është edhe gazetari i njohur Marin Mema.

“Shtyje sot kafen, merr flamurin Kombëtar dhe në ora 19:00 hajde në bulevard! Jo për parti, Jo për politkë, për asnjë ngjyrë partiake, për asnjë lider partiak, por për Komb, si qytetar, si njeri i thjeshtë, si shqiptar. Nuk ka rëndësi nëse je i majtë, i djathtë, i qëndrës apo pa parti! Të mbështesim vëllezërit tanë dhe këtu nuk ka lidhje politika, por gjaku! Ndryshe nga të tjerët që mbajnë flamurin rus, ne do të mbajmë flamurin e Shqipërisë, Kosovës, BE-së dhe SHBA-së. Ne nuk jemi brez që kërkon luftë, por paqe. Paqe me dinjitet dhe krah partnerëve tanë të mëdhenj. Dje, sot, nesër, përjetë bashkë!”, ka shkuara Marin Mema në Facebook. /Telegrafi/

Exit mobile version