Telegrafi

Përveç Real Madridit, të gjitha klubet në Spanjë do të veshin fanella speciale në ndeshjet e sotme

Sot në botën e futbollit bëri jehonë lajmi për vendimin e Gjykatës së Bashkimit Evropian, e cila vendosi se FIFA dhe UEFA duhet të lejojnë krijimin e Superligës Evropiane.

Superliga u ndalua dy vite më parë dhe thuajse të gjitha klubet kryesore të Kontinentit të Vjetër donin ta organizonin atë.

Tani e ardhmja e Ligës së Kampionëve dhe garave të tjera të UEFA-s është në pikëpyetje të madhe, por shumë klube tashmë e kanë refuzuar mundësinë për të luajtur në Superligë, si Bayern Munich, Manchester United, Sevilla dhe Borussia Dortmund.

Lexo po ashtu UEFA me mesazh goditës për Superligën Evropiane

Një lëvizje interesante vendosën klubet në Spanjë dhe sot futbollistët e tyre do të vrapojnë në ndeshjet e La Ligës me fanella të veçanta.

Në fanella do të shkruhet “Fitoje në fushë!”, ndërsa interesant është fakti se kësaj fushate nuk i është bashkuar Real Madridi, i cili do të luajë me Alaves nga ora 21:30.

Arsyeja është se Real Madridi, më saktë presidenti Florentino Perez, është një nga nismëtarët kryesorë të idesë së Superligës. Sonte përveç Alaves dhe Real Madridit takohen Betis – Girona, Cadiz – Real Sociedad dhe Mallorca – Osasuna.

Lexo po ashtu Agnelli reagon me hitin e U2 për krijimin e Superligës Evropiane

Sigurisht që mesazhi i referohet faktit që një vend në një kompeticion evropian duhet fituar në fushë dhe jo në bazë të ndonjë gjëje tjetër, që është ideja në Superligë, e cila duhet të bëjë bashkë klubet më të pasura.

Plani është që në Superligë të marrin pjesë 64 klube, të ndara në tre nivele të kompeticionit, të cilat do të luheshin në dy faza. E para do të luhej sipas sistemit të ligës dhe e dyta do të ishte playoff. /Telegrafi/