Moti i ftohtë dhe me temperatura të ulëta ka sjellë edhe fluks të shtuar të pacientëve të vegjël me virozat e stinës.
Në një lidhje me A2 CNN nga Qendra Shëndetësore numër 4 në kryeqytet, mjekja pediatre, Mirela Sula dha detaje mbi situatën e gripit. Sipas saj rastet më të rënda paraqiten te fëmijët e moshës nga 0-5 vjeç.
“Ka goxha fluks be bëjmë vizita nga 20-25 numri i pacientëve të vegjël është rritur. Disa paraqiten më klinikë të rëndë, disa me klinikë të moderuar. Kjo varet shumë edhe nga mosha më të rëndë nga 0-5 vjeç. Virozat prekin të gjitha moshat pediatrike, por nga 1-5 predominon. Mbyllja në institucione ndikon gjithmonë dhe virozat përhapen më shpejt nga kontakti”, tha mjekja.
Sipas saj në këtë sezon qarkullojnë disa lloj virusesh me të njëjtat shenja klinike, ndërsa piku i Covid, ka qenë në muajt qershor dhe korrik.
Janë disa lloj virusesh në këtë sezon që qarkullojnë virusi i influencës dhe nëntipet e tij virusi RSV dhe metapneumovirusi human. Kemi shumë raste me këta të fundit. Viruset kanë të njëjtin klinikë të gjitha që fillojnë me rrjedhje hundësh, gricje, fyti e kollë, më temperaturë nga e moderuar në të lartë, madje dhe me gulçim dhe ethe. Virsuet kanë periudhë inkubimi të shkurtër dhe e gjithë klinika zgjat rreth një javë. Pak raste janë që zgjasin më shumë se një javë. Kur kalon një javë fëmija normalizohet dhe pas disa ditësh rifillon një temperaturë tjetër që mund të ketë lënë infeksion bakterial. Kjo tregon një klinikë të rëndë dhe duhet që fëmija të hospitalizohet. Covid e kemi patur prezent gjithë vitit, piku i Covidit ka qenë në qershor korrik kurs etani është në rënie tani predominojnë viruset që përmenda”, deklaroi Sula për A2 CNN.
Duke e cilësuar të menaxhueshme situatën nga gripi mjekja u bën apel prindërve që ditët e para ti trajtojnë në shtëpi fëmijët.
“Situata është e menaxhueshme, prindërit të mos vijnë me shenjat e para, por ta menaxhojnë në shtëpi dy ditët e para. Në rast se kemi një klinikë të rëndë duhet të drejtohemi te mjeku”.
Sa i përket vaksinës së gripit te fëmijët ajo thotë: “Vaksina është shumë e rëndësishme në këtë periudhë. Koha ideale është tetori por mund ta bëjnë në çdo kohë mjafton që fëmija të jetë i shëndetshëm”.