Kosova mund të rrezikohet nga përhapja e variantit të ri të coronavirusit, Omicron që ka prekur tashmë shumë vende të botës.
Kështu mendojnë infektologët që kanë bërë thirrje për vigjilencë sa i përket respektimit të masave mbrojtëse, sidomos pasi ende nuk dihet saktë shkalla e agresivitetit të këtij varianti të ri.
Infektologët po ashtu kanë thënë se institucionet duhet të vendosin masa të reja kundër COVID-19 duke pasur gjithmonë parasysh lëvizjet e virusit dhe situatën aktuale epidemiologjike.
Deri më tani, në Kosovë nuk është konfirmuar asnjë rast me variantin Omicron.
Më 26 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se Omicron, që fillimisht u identifikua në Afrikën e Jugut, ishte “variant shqetësues”.
Zyrtarët në Afrikën e Jugut kanë thënë se 90 për qind e rasteve të reja janë me variantin Omicron, që ka numër të madh të mutacioneve.
“Pacientët kryesisht ankohen për dhimbje trupi dhe lodhje dhe këto simptoma ne i kemi hasur te pacientët e rinj, jo te personat më në moshë”, ka deklaruar për BBC, Angelique Coetzee nga Shoqata e Mjekëve të Afrikës së Jugut.
Infektologu Sali Ahmeti tha për Radion Evropa e Lirë se periudha e festave të fundvitit rrit rrezikun për shfaqjen e rasteve me këtë variant të virusit edhe në Kosovë.
“Ky variant paraqet një kërcënim edhe për neve, sidomos tash afër festave të Vitit të Ri kur te ne munden të vijnë bashkëqytetarët tanë nga vende të ndryshme të botës”, tha ai.
Ahmeti u shpreh se edhe pse nuk dihet saktë shkalla e rrezikut nga varianti i ri i virusit, qytetarët dhe institucionet duhet të kontribuojnë në shmangien e përhapjes së tij.
“Ne duhet të jemi syhapur dhe vigjilentë. Duhet t’i përcjellim kërcënimet potenciale që mund t’i paraqesë ky virus”, tha ai.
Edhe infektologu, njëherësh drejtori i Shërbimit Klinik Spitalor dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK), Valbon Krasniqi, tha për Radion Evropa e Lirë se Kosova është e rrezikuar nga shpërndarja e variantit Omicron.
“Atë që e kemi parë në variantet e tjera, është jo e besueshme që ndonjë vend mundet të kursehet. Varet edhe sa do të ketë qarkullim të njerëzve”, tha ai.
Deri më tani, varianti Omicron është shpërndarë në shumë vende të botës, përfshirë edhe në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Itali, Belgjikë, Danimarkë, Botsvanë, Izrael, Australi, Hong Kong dhe Çeki e të tjera.
Ministria e Shëndetësisë (MSH) në Kosovë më 27 nëntor bëri të ditur se gjatë një takimi të Komitetit për koordinim dhe vlerësim të situatës me pandeminë COVID-19, është diskutuar për variantin Omicron.
MSH-ja ka paralajmëruar se nga java që nis më 29 nëntor do të bëhet rishqyrtimi i masave në fuqi dhe do të marren masa të tjera “sipas nevojës dhe zhvillimeve lidhur me COVID-19”.
Kosova së fundmi ka shënuar rënie të rasteve me koronavirus. Gjatë shtatë ditëve të fundit, në vend janë regjistruar 78 raste.
Sipas masave që janë aktualisht në fuqi në Kosovë, mbajtja e maskës në ambiente të hapura dhe të mbyllura publike është obligative. Po ashtu, qytetarët duhet të tregojnë dëshminë e vaksinimit kundër koronavirusit apo të testit negativ për hyrje në qendra tregtare, restorante, bare dhe vende të tjera publike.
Gjithashtu, sipas masave në fuqi, secili person që hyn në Kosovë duhet të posedojë dëshmi për vaksinim të plotë, shërim nga COVID-19 apo një test negativ.
Megjithatë, shumë shpesh, sidomos në kohën e uljes së numrit të rasteve në Kosovë, vërehet një mungesë e respektimit të masave në fuqi.
Sipas Organizatës Botërore Shëndetësisë, testet aktuale PCR diagnostikuese për koronavirusin SARS-CoV-2 e detektojnë edhe variantin Omicron.
Përkujtojmë se testet për detektimin e variantit Delta të koronavirusit nuk kishte pasur mundësi të kryhen në Kosovë dhe kështu mostrat nga Kosova ishin dërguar në Berlin të Gjermanisë.
Çfarë është varianti Omicron dhe çka dihet deri më tani?
Varianti i coronavirusit, Omicron u vërejt për herë të parë në Afrikën e Jugut më 23 nëntor të vitit 2021.
Më 28 nëntor, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se e kishte klasifikuar këtë variant si “shqetësues” për shkak të disa mutacioneve dhe mënyrës se si ato mund të kenë ndikim në sjelljen e virusit, si për shembull, se sa shpejt mund të shpërndahet apo shkallën e sëmundjes që shkakton.
Sa i përket transmetueshmërisë, OBSH-ja tha se ende është e paqartë nëse Omicron është më i transmetueshëm sesa variantet paraprake, përfshirë variantin Delta.
“Është rritur numri i personave që po infektohen në zonat e Afrikës së Jugut, që janë prekur nga ky variant, por studimet epidemiologjike janë duke u kryer, në mënyrë që më pas të mund të kuptojmë nëse rritja e rasteve është për shkak të Omicronit apo faktorëve të tjerë”, tha OBSH-ja.
OBSH-ja tha se është ende e paqartë nëse varianti Omicron shkakton sëmundje më të rëndë, krahasuar me variantet paraprake. “Të dhënat paraprake sugjerojnë se ka rritje të hospitalizimeve në Afrikën e Jugut, por kjo mund të jetë edhe për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve sesa rezultat i infeksionit me Omicron”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, sa i përket simptomave, OBSH-ja tha se aktualisht nuk ka informacione që sugjerojnë se simptomat e lidhura me variantin e ri, Omicron janë të ndryshme nga ato që shkaktojnë variantet e tjera.
Vaksinat ekzistuese vazhdojnë të jenë efektive kundër sëmundjes së rëndë dhe vdekjes, tha OBSH-ja, duke theksuar se ende nuk ka të dhëna se cili është ndikimi që Omicron mund të ketë mbi vaksinat ekzistuese kundër coronavirusit.
“OBSH-ja po punon me partnerët teknikë për të kuptuar ndikimin potencial që ky variant ka në kundërmasat ekzistuese, përfshirë vaksinat. Vaksinat vazhdojnë të jenë mjete kritike për të zvogëluar sëmundjen e rëndë dhe vdekjen, përfshirë edhe infektimeve kundër variantit dominues, Delta”, tha OBSH-ja.
Megjithatë, OBSH-ja tha se sipas të dhënave të para, Omicroni rrit rrezikun e riifektimeve, pasi njerëzit që më herët e kanë pasur COVID-19 “mund të riinfektohen më lehtë me COVID-19”.
A janë të gjitha mutacionet e virusit të rrezikshme?
Para përhapjes së variantit Omicron nëpër botë, coronavirusi i ri që u shfaq për herë të parë në fund të vitit 2019, ka pësuar disa mutacione.
Në Kosovë në muajt e fundit ka pasur përhapje të variantit Delta dhe Delta Plus që janë vlerësuar variante me përhapje më të shpejtë dhe me pasoja më të mëdha në shëndet.
Infektologu Ahmeti tha se mutacionet e virusit do të vazhdojnë përderisa virusi vazhdon të jetë prezent.
Megjithatë, sipas tij, shqetësuese mbetet nëse mutacionet do të jenë rezistente ndaj imunitetit natyral të njerëzve apo imunitetit të krijuar nga vaksinat kundër coronavirusit.
“Është në hulumtim e sipër sjellja e tij ndaj imunitetit natyral dhe pas-vaksinal. Veçse kanë filluar hulumtimet e qëndrueshmërisë së këtij virusi në raportin e imunitetit pas-vaksinal”, tha infektologu Ahmeti.
Në Kosovë deri më tani janë vaksinuar me të dy dozat 761.003 qytetarë, përkatësisht mbi 40 për qind e popullsisë. Momentalisht mundësi vaksinimi kanë të gjithë personat mbi 12 vjeç. Duke komentuar mutacionet e shpeshta dhe variantet e coronavirusit, infektologët kanë thënë se jo të gjithë variantet e reja të një virusi, që mund të shfaqen, janë më të rrezikshme se variantet paraprake.
“Mund të ketë variante më agresive apo më pak agresive”, tha për REL-in, Shemsedin Dreshaj, infektolog. Dreshaj ka thënë se, megjithatë, variantin Omicron e sheh si të rrezikshëm dhe me potencial të shpërndarjes në Kosovë.
Disa shtete në botë veçse kanë filluar të marrin masa për të parandaluar përhapjen e këtij varianti të coronavirusit. Më 27 nëntor, kryeministri britanik, Boris Johnson njoftoi se të gjithë personat që do të hyjnë në shtet duhet t’i nënshtrohen testit PCR për coronavirus dhe derisa të dalin negativë, duhet të vetizolohen. Po ashtu, të gjithë personat që janë raste kontakti të të infektuarve me Omicron, duhet të izolohen për dhjetë ditë.
Edhe shtetet e Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur kufizime në udhëtimet nga shtetet në jug të Afrikës, me qëllim që të frenojnë përhapjen e variantit Omicron./REL/