Site icon Telegrafi

Përhapen zjarret në SHBA dhe Kanada me flakët që arrijnë deri në 100 metra lartësi

Zjarret janë përhapur në disa pjesë të Kanadasë dhe SHBA-së, duke detyruar mijëra njerëz të evakuohen.

Në qytetin kanadez Rockies të Jasper në Alberta, zyrtarët paralajmëruan për një “mur zjarri” pasi flakët arritën deri në 100 metra lartësi dhe u përhapën 5 kilometra në më pak se 30 minuta.

Ndërkohë, në Kaliforni, një burrë u arrestua me dyshimin se kishte ndezur një zjarr në afërsi të Chico-s.

Të kombinuara, zjarret kanë detyruar dhjetëra mijëra njerëz të evakuohen.

Bëhet e ditur se Alberta po përballet me rreth 176 zjarre, nga të cilat 50 po digjen jashtë kontrollit, me Jasper ndër zonat më të prekura, shkruan skynews, transmeton Telegrafi.

Zjarret kanë shkatërruar potencialisht 50% të strukturave në qytetin e njohur turistik, pasi zjarrfikësit luftuan për të shpëtuar sa më shumë ndërtesa.

Jasper tërheq më shumë se dy milionë turistë në vit dhe u evakuua, me zyrtarët që vlerësojnë se kishte deri në 10,000 njerëz në qytet dhe 15,000 vizitorë të tjerë.

“Nuk mund të mohohet se ky është makthi më i keq për çdo komunitet”, tha kryeministrja e Albertës, Danielle Smith.

“Ne po shohim potencialisht 30% deri në 50% dëme strukturore”, shtoi ajo.

Siç raportohet, përveç dërgimit të ekuipazheve të emergjencës nga i gjithë vendi, Kanada gjithashtu do të pranojë gjithsej 400 zjarrfikës nga Meksika, Afrika e Jugut, Australia dhe Zelanda e Re në ditët në vijim.

Në prill, qeveria federale paralajmëroi se një kombinim i temperaturave të larta dhe pyjeve të thata mund të krijojnë kushte për një vit potencialisht katastrofik zjarresh.

Ndryshe, zjarri më i madh në SHBA është Durkee Fire në Oregon, i cili ka djegur pothuajse 109 hektarë.

Sipas mediave lokale, ai ka kërcënuar shumë qytete të vogla, ka vrarë qindra bagëti dhe ka shkatërruar toka fermash. /Telegrafi/

Exit mobile version