Telegrafi

Përgjimi i opozitës ruse në Beograd, Browder: Veprim i turpshëm për Serbinë

Fakti që Qeveria e Serbisë bashkëpunoi me entuziazëm dhe në mënyrë të paligjshme me regjimin e Kremlinit në arrestimin e disidentëve rusë është një veprim i turpshëm.

Kështu është shprehur William Bill Browder, dikur investitori më i madh i huaj në Rusi duke shtuar se ky veprim i hedh hije shumë të errët Serbisë.

“Ajo hedh një hije shumë të errët mbi Serbinë, e cila në këtë mënyrë skualifikohet për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, deklaroi Browder për të përditshmen Nova.

Biznesmeni Browder është aktivist shumëvjeçar dhe drejtues i fushatës për zbatimin e “Ligjit Magnetik”, i cili mundëson vendosjen e sanksioneve ndaj personave që shkelin të drejtat e njeriut.

Emri i tij është një nga më të përmendurit në mediet e kontrolluara nga qeveria ruse, pasi ai kundërshtoi hapur presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Lexo po ashtu Skandali i përgjimit të opozitës ruse në Beograd, nënshtrim i sektorit të sigurisë së Serbisë ndaj Rusisë

Pas zbulimit të përvetësimit financiar të njerëzve nga Kremlini, Browder u shënua si një nga armiqtë më të mëdhenj të presidentit rus, i cili dikur kërkoi ekstradimin e tij.

Autori i bestsellerit New York dhe Sunday Times, “Red Notice”, në këtë intervistë i është referuar aferës së përgjimit të opozitës ruse në Serbi, bashkëpunimit mes Beogradit dhe Moskës, si dhe se si do të ndikojë ai bashkëpunim në integrimin evropian të Serbisë.

Kujtojmë se ministri serb i Punëve të Brendshme, Aleksander Vulin gjatë një takimi me sekretarin rus të Sigurisë Kombëtare, Nikolai Patrushev i ka dorëzuar video të takimeve të liderëve të opozitës ruse në Beograd, pas të cilave është arrestuar opozitari dhe aktivisti rus Andrei Pivovarov. Këto informacione janë siguruar nga Agjencia serbe e Informacionit të Sigurisë (BIA).

Lexo po ashtu Aleksandar Vulin dhe BIA serbe po bashkëpunojnë me shërbimet sekrete të Kremlinit për të shtypur opozitën në Serbi dhe Rusi

Serbia dhe Rusia në fshehtësi kanë formuar një grup të përbashkët pune për të luftuar kundër “revolucioneve me ngjyra”, detyra e të cilit është të shtyp demonstratat dhe organizimet masive të qytetarëve.

Përveç kësaj, një organ i përbashkët i autoriteteve serbe dhe ruse është caktuar që të mbikëqyrë liderët e opozitës, mediet e pavarura dhe organizatat e shoqërisë civile.

Për më tepër këto dy vende, janë duke u munduar aktivisht që protestat qytetare dhe kundërshtimin e ndryshëm opozitar dhe të opinionit publik në vendet e tyre, ta lidhin pa fakte me ndikimin e aktorëve të ndryshëm të huaj, me qëllim të njollosjes së aktiviteteve që kundërshtojnë qeveritë e tyre. /Telegrafi/