Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Monika Kryemadhi, ka reaguar lidhur me 6 përgjimet e bëra publike ditën e sotme nga tabloidi gjerman “Bild”, lidhur me dosjen 339/1, e cila ka të bëjë me hetimet lidhur me implikimin e një organizate ndërkombëtare të trafikut të drogës, të njohur si “Klani kriminal i Avdylajve” në blerjen e votave në zgjedhjet parlamentare të qershorit të vitit 2017, në bashkëpunim me zyrtarë të Partisë Socialiste, duke përfshirë këtu në mënyrë të veçantë kryebashkiakun e qytetit të Durrësit, Vangjush Dakon.
Kryemadhi shprehet se faktet e “Bild” i kanë vënë vulën tjetërsimit të votës nga krimi për llogari të “Rilindjes”, dhe shton se sipas saj përgjimet janë vetëm një pjesë e “puzzle”-it të bashkëpunimit të krimit me zyrtarët e PS-së në proceset e kaluara zgjedhore në të gjithë vendin.
Reagimi i plotë:
“Faktet e bëra publike nga gazeta gjermane “Bild”, i vënë vulën tjetërsimit të votës nga krimi i organizuar për llogari të Rilindjes.
Këto fakte janë vetëm një pjesë e puzzle-it gjigand të bashkëpunimit të krimit të organizuar me zyrtarët e Rilindjes, të të gjitha niveleve.
Unë kam denoncuar publikisht me fakte, që në tetor të 2017, lidhje të tjera të elementëve kriminalë direkt me Edi Ramën.
Në fotografi mund të shikoni Edin të rrethuar nga “stafi” i tij elektoral në qarkun e Durrësit. Këto incizime nuk janë rastësi, as të vetmet prova për tjetërsimin e votës së shqiptarëve. Ato shtrihen kudo nga Jugu në Veri. Nga Shkodra në Dibër. Nga Elbasani në Lezhë. Nga Vlora në Berat. Nga Tirana në Fier. Kudo në të gjithë Shqipërinë.
Për çdo shqiptar është më se e qartë:
Krimi i organizuar është ulur këmbëkryq në kutitë e votimit, në Parlament, në karrigen e Kryeministrit, në qeveri.
Zgjedhjet, Parlamenti, Kryeministri dhe Qeveria janë ilegjitime.
Koha e këtij Kryeministri ka mbaruar! Dorëheqja është e vetmja rrugëdalje e tij.
Popullin nuk e ndal dot askush të thotë sot fjalën e tij dhe t’i rikthejë legjitimitetin zgjedhjeve, parlamentit, qeverisë, që sot janë marrë peng nga bandat e Rilindjes.
Asnjë hap pas”.