Ka përfunduar afati i parë i regjistrimit të nxënësve në shkollat e mesme. Duke u nisur nga përvoja e viteve të kaluara që nxënësit shqiptarë të mbushin paralelet maqedonase, këtë vit, sipas përgjegjësve nëpër shkollat ku ndiqet mësimi në të dyja gjuhët, nuk po ndodh një gjë e tillë.
Në Shkollën e Mesme Kimike“Marija Kiri Skllodovska”, sipas përgjegjësit Blerim Nebiu, asnjë shqiptar nuk ka aplikuar për të ndjekur mësimin në gjuhën maqedonase. Ai tha se kanë qenë të paraparë 136 nxënës për të ndjekur mësimin në gjuhën shqipe dhe se këtë vit dukshëm është ngritur vetëdija tek semi maturantët dhe prindërit e tyre, pasi interesimi për të ndjekur shkollimin në drejtimet profesionale ka qenë shumë i lartë.
“Gjysma e numrit të paraparë tashmë janë të pranuar, dhe shpresojmë që në afatin e dytë do të plotësohet numri i shqiptarëve në mësim në gjuhën shqipe dhe synojmë që të hapim edhe paralelen e pestë,normalisht nëse ka interesim të nxënësve. Numri i nxënësve është shumë i ulët dhe shqiptarë që kanë konkurruar në mësim në gjuhën maqedonase nuk ka deri më tani, por ka prej kombësive të tjera, siç janë boshnjakë, turq, romë e të tjerë”, ka deklaruar Blerim Nebiu, përgjegjës në Shkollën e Mesme “Marija Kiri- Skllodovska”.
Në Shkollën e Mesme Profesionale PTT, sipas ndihmës drejtorit të kësaj shkolle, nuk është paraqitur dukuria e regjistrimit të nxënësve shqiptarë në paralelet maqedonase. Ndërkaq, në këtë shkollë, në afatin e parë janë regjistruar 31 nxënës shqiptar, ndërkaq numri i të regjistruarve maqedonas arrin në 97.
“Në këtë afat të regjistrimit pati nxënës edhe pse mbetën vende të lira, dhe afati i dytë është më katër korrik, ditën e hënë, ku në gjuhën shqipe kemi dy drejtime, transport dhe shpedicion dhe drejtimi elektroteknik. Ka mjaft vende të lira, transport dhe shpedicion ka dikund edhe 50 vende edhe elektro teknik gjithashtu. Në këtë objekt vetëm në gjuhën shqipe, edhe pse në shkollën tonë ka edhe nxënës që msojë në gjuhën maqedonase. Te kjo shkollë nuk është paraqitur dukuria e regjistrimit e nxënësve shqiptar në paralelet maqedonase”, deklaroi për Tv Shenja, Arben Idrizi, Ndihmës Drejtori në PTT./Telegrafi/