Site icon Telegrafi

Përgjaket Borko Stefanoviq, ish-negociatori i Serbisë me Kosovën (Foto/Video)

Borko Stefanoviq, presidenti i së Majtës në Serbi dhe një nga themeluesit e Aleancës për Serbinë, bashkë me dy të tjerë janë rrahur brutalisht gjatë një tribune në Krushevc.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, policia serbe njoftoi se menjëherë pas ngjarjes ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet e nevojshme për zbulimin dhe identifikimin e sulmuesit.

Nga Aleanca për Serbinë është njoftuar se ai ka pasur lëndime më të rënda, kështu që është dërguar në Qendrën Emergjente.

“Një grup i banditëve të armatosur me shufra kanë sulmuar Stefanoviqin në Krushevc, duke e shtrirë në tokë dhe rrahur barbarisht. Pasi dy të tjerët tentuan të ndihmojnë Stefanoviqin, sulmuesit sulmuan edhe ata”.

Aleanca për Serbinë vlerëson se sulmi ndaj anëtarëve të tyre është rezultat i veprimeve të cilat regjimi i Aleksandar Vuçiqit përdor kundër kundërshtarëve politikë.

Ndryshe, Stefanoviq ka qenë ish-negociatori serb në dialogun me Kosovën në Bruksel. /Telegrafi/

Exit mobile version