Site icon Telegrafi

Përgëzime Hashim Thaçit e Ukë Rugovës

(Kosova ka nevojë për udhërrëfim dhe unitet)

Në hallakamën e madhe politike nëpër të cilën po kalon Kosova një ngjarje e rëndësishme, nga qarqe politike dhe mediatike të saj ose dëshirohet të kalohet me heshtje ose kualifikohet si meskinitet politik. Çka përfaqëson në të vërtetë përafrimi politik i PDK-së së Hashim Thaçit dhe Listës së Ukë Rugovës? Sado që konfliktualiteti i brendshëm politik i Kosovës së para, gjatë dhe pas luftës në ditët e sotme është zbehur shumë, prapëseprapë në të dy kampet e rivalëve të dikurshëm politik ka ende reminishenca dhe elemente të armiqësuara ndërmjet veti. Dhe këto elemente të prapambetura në kohë dhe të tejfiksuara emocionalisht dalin kundër bashkëpunimit politik të Hashim Thaçit dhe Ukë Rugovës, duke e cilësuar këtë bashkëpunim si lajthitje e madje edhe si tradhti ndaj trashëgimive të caktuara politike. Këto kualifikime nuk kanë asgjë të vërtetë pos josinqeritetit patriotik dhe papjekurisë politike.

Politikë pa interesa nuk ka dhe ky fakt as që mundë të kontestohet. Përveç si realpolitikë, ky zhvillim do të duhej të shikohej në radhë të parë si një akt mirëkuptimi dhe pajtimi nacional. Dikush ka me thanë se Ukë Rugova dhe Lista e tij nuk janë trashëgimia politike e Ibrahim Rugovës. Por ku është ajo dhe kujt i takon më shumë të rrahë gjoks sikundër që bëjnë sot disa duke pretenduar me shumë dëshirë këtë trashëgimi? LDK-ja gjithsesi nuk ka aq shkëlqim sa të pretendoj e vetme për të, ajo i takon të gjithëve në Kosovë. E në anën tjetër Familja Rugova sikur edhe Familja Jashari përveç rëndësisë historike, kanë edhe rëndësi politike gjithnjë aktuale e cila nuk është për t’u nënçmuar.

Me kalimin e kohës politika i kosovare ka ndryshuar, ç’është e vërteta ngadalë dhe duket ende nuk e ka arritur pjekurinë e duhur politike për t’i përballuar sfidat që i dalin asaj dhe popullit përpara. Nga politikanët dhe zyrtarët e shumtë kosovarë, veçohet profili politik i Kryeministrit të Kosovës, z.Hashim Thaçit, i cili ka lëvizur në kohë, duke e mbështetur vazhdimisht trashëgiminë e lavdishme të luftës së UÇK-së dhe duke avancuar gjithnjë e më shumë bashkëpunimin politik me subjektet tjera relevante për fatet e Kosovës. Sot ai është një lider që po e bart peshën e formimit dhe të konsolidimit të shtetit të Kosovës, duke e vazhduar punën e Presidentit historik Ibrahim Rugova, i cili e përgatiti popullin e Kosovës dhe opinionin ndërkombëtar për Kosovën e Pavarur.

Kosova ka nevojë për progres dhe stabilitet dhe për t’i pasur këto asaj i duhet orientim i qartë politik, dije dhe konsensus për shtyllat e shtetësisë së sajë që janë dy. Dy janë personalitetet kyçe dhe emblematike të shtetësisë kosovare dhe kush nuk e din këtë fakt është në gjumë të thellë, kush nuk do ta njoh të vërtetën duhet të bëjë paqe me botën dhe me vetveten. Emrat e këtyre dy burrave të popullit dhe të shtetit që i njeh bota mbarë janë: Ibrahim Rugova dhe Adem Jashari, presidenti ynë historik dhe komandanti ynë legjendar. Prandaj amaneti dhe trashëgimia e tyre politike dhe patriotike le të jetë pikënisja dhe boshti i përpjekjeve tona në çdo kohë dhe nuk ka me na ra keq.

Aty rreth varrit të Ibrahim Rugovës ku si student para lufte më ka ra shpesh të kaloja, ishte një monument i ndërtuar në kohën e komunizmit në të cilin mundë të lexoheshin nja dy fjalë të cilat si për ironi të fatit i përgjigjen Ibrahim Rugovës dhe UÇK-së e Adem Jasharit. Aty shkruante: “Ku unë e lash, t’i vazhdoje”. Nëse Hashim Thaçi dhe Ukë Rugova po punojnë dhe do të punojnë me kokën e Ibrahimit dhe me zemrën e Ademit, atëherë unë do t’i përgëzoja. Boll ky popull shqiptar ka vuajtur nga ndarjet dhe përçarjet, bile shumë.

Exit mobile version